Varhelyi në Shkup, takon kryeministrin Zaev


Vizita e komisionerit të Bashkimit Evropian për zgjerim dhe fqinjësi të mirë Oliver Varhelyi në Shkup po kalon në gjysmëheshtje nga autoritetet, larg mediave dhe pa njoftime zyrtare rreth aktiviteteve. Eurokomisioneri ka takuar kryeministrit Zoran Zaev dhe pritet të takojë edhe presidentin Stevo Pendarovski, kreun e Kuvendit Talat Xhaferi dhe kreun e opozitës Hristijan Mickoski. Ministri i Jashtëm Bujar Osmani, për “Slloboden Peçat” njoftoi se vizita e Varheljit në Shkup është e lidhur me vizitën që kishte ditë më parë me autoritetet në Sofje.

Komisioneti Varhelji ishte në Sofje dhe kuptohet që ardhja e tij këtu lidhet edhe me atë vizitë në Sofje për t’u shikuar propozime dhe variante të ndryshme. Punojmë në kushte të Qeverisë teknike për të gjetur zgjidhje për dallime të caktuara në nivel bilateral por a do të përkthehet kjo në një zgjidhje finale në të cilën duhet dhe patjetër të jetë edhe vendimi për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, kjo do të varet nga konteksti politik”, tha Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.

Autoritetet në Shkup sqarojnë optimizmin në lidhje me gjetjen e një zgjidhjeje mes Shkupit dhe Sofjes. Bullgaria së shpejti do të ketë zgjedhje parlamentare nga të cilat pritet të formohet Qeveri politike. Osmani thotë se mbetet një dritare e hapur mundësie prej 2-3 javësh në muajin dhjetor para përfundimit të presidencës sllovene dhe fillimit të presidencës franceze.

Por, Qeveria nuk komenton informacionet të cilat i publikoi një ditë më parë Reuters. Sipas medias ndërkombëtare, “Në samitin e 6 tetorit mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, BE -ja planifikon të përsërisë premtimin e saj të bërë 18 vjet më parë për të dhënë “mbështetjen e saj të qartë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor””. Reuters që informon se ka parë propozim-deklaratën thotë se ky propozim “ka kaluar të paktën dy raunde bisedimesh pa marrëveshje mes vendeve anëtare”.

“Shtetet e BE -së”, shkruan më tej Reuters, “nuk do të zbulojnë pozicionet e tyre, por vendet e pasura veriore si Danimarka, Franca dhe Holanda kanë frikë nga përsëritja e pranimit të nxituar të Rumanisë dhe Bullgarisë në 2007 dhe migrimit të keqadministruar të punëtorëve të Evropës Lindore në Britani që i ktheu shumë britanikë kundër BE”. Reuters, duke u referuar në burime diplomatike thotë se “BE-ja po i përkeqëson në mënyrë indirekte tensionet në rajonin prej 20 milionë banorësh”.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Fon Der Lajen të martën qëndroi në Shkup në kuadër të turit të saj në vendet e Ballkanit Perëndimor. Fon Der Lajen deklaroi se synimi i KE-së është që Maqedonia e Veriut dhe Shqipërisë të fillojnë negociatat e anëtarësimit me BE-në para fundit të vitit./Alsat M