Vapa ekstreme dhe alarmi “Portokalli”/ Qeveria me rekomandime për të martën dhe të mërkurën!

Qeveria, me kërkesë së Ministrisë së Shëndetsisë, ka miratuar rekomandime lidhur me valën e re të të nxehtit ekstrem që pritet ta përfshijë vendin tonë gjatë javës së ardhshme.

Instituti për Shëndet Publik dhe meteo-alarmi i Drejtorisë për Punë Hidrometereologjike kanë njoftuar se nga 12 deri më 14 gusht vendi ynë do të jetë nën ndikimin e valës së re të të nxehtit ekstrem që do të rezultojë me aktivizimin e alarmit “portokalli”.

Në rekomandimet e Qeverisë, që janë miratuar në seancën e së dielës, për uljen e rreziqeve nga temperaturat e larta, parashihet lirimi nga obligimet e punës për kategoritë më të cënueshme të qytetarëve, sic janë, gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjec. Rekomandimi vlen për të hënën dhe të martën.

“Punëdhënësit t`i riorganizojnë aktivitetet e punës në ndërtimtari, në ambiente të hapura, gjatë periudhës nga 11.00 deri 17.00. Çerdhet të mos praktikojnë aktivitete fizike të fëmijëve dhe të mos I nxjerrin ata në ambiente të hapura nga ora 11.00 – 17.00. Njësitë e vetadministrimit lokal, Kryqi I Kuq dhe Qendrat për Punë Sociale në rajonet që përfsihen nga vala e të nxehtit t`u ndihmojnë pleqve dhe të pastrehëve” – thonë nga Qeveria.

Metereologët njoftojnë se nga e hëna deri në fund të javës pritet mot shumë I nxehtë dhe kryesisht me diell.

I nxehti ekstrem është nën ndikimin e një mase shumë të nxehtë ajrore nga jugu, kurse e mërkura llogaritet se do të jetë me temperatura që do të shkojnë mbi 40 gradë Celsius.

Pavarësisht kësaj, nga e mërkura deri të premten, metereologët nuk përjashtojnë mundësinë që vende-vende në orët e pasditës dhe mbrëmjes të paraqitet mot jostabil dhe kushte për mot të lig.