Valon Bela: “ Gënjeshtra e Kryetarit kukull!”

“Politika e keqe nuk është gjë tjetër veç mjeshtëri e gënjeshtrës në çastin e duhur”.

Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra. E ka armik kohën. Shpesherë sajohet gënjeshtra kur nuk ke zgjidhje, kur e fsheh të vërtetën. Sepse po doli e vërteta, ajo është e dhimbshme dhe në rrafshin politik është tepër e kushtueshme.
Prandaj, Mos u besoni fjalëve që flasin TANI, shikojani veprat. E një prej veprave është koalicionimi i tyre me VMRO në zgjedhjet lokalet të vitit 2021. Pra ato të veç para 1 viti ku si rezultat i shkurtpamësisë së tyre dhe mungesës së vizionit politik VMRO ri-fitoi dy komunat; Butelin dhe Gazi Babën. Këto dy komunat tani janë më të dalluarat për diskriminimet etnike që u bëjnë shqiptarëve.
U harrua ajo shëmtirë dhe llapsuz e aspak nuk ndihen fajtorë meqë tani hudhen në prehrin e LSDM-së. Kësaj radhe nuk është nga shkurtpamësia, jo jo. E kanë nga leku dhe inati. Por me paketimin e integrimit e kanë zbukuruar gënjeshtrën e radhës. Dy sytë i nxorën njëri tjetrit për pozita e kolltuqe por para shqiptarëve thonin se “s’jemi të interesuar për pozicione”. Sikur të mos i njihnim…
Partia më e re që doli nga Kongresi i fundit rezultoi me një Kryetar kukull dhe dy udhëheqës nepotist që po japin frytin e radhës të kameleonit politik (përshtatjes). Nga trashëgimia e Arbër Xhaferit vijmë na thonë. Sikur të mos jetonim ne në kohën e tij dhe ndoshta aspak ne nuk e paskemi njohur Arbërin …
Nejse, dyshja që doli nga Kongresi është testuar fort me “arritjet” në Komunën e Strugës. Tani, do sjellin “arritjet” e reja edhe në politikat qëndrore. Me diametër më të gjërë ndaj shterpësisë/sterilitetit rezultativ. A do e përndjek mungesa e rezultateve të nivel lokal në atë qëndror të dyshes fantastike sidomos kur frerët e pushtetit qëndror i mba akoma BDI?
Përqafimi i BDI-së nga Kryetari kukull që doli nga Kongresi i fundit, “trashëgimtari xhaferist” rezultoi me flirtim publik madje ai shkoi aq larg saqë tërhoqi akuzat e mëpërparshme ndaj kreut të integristëve. Akuzat shumë më të rënda si ajo e të “sëmurit psiqik” shpeshherë krijonin përshtypjen se përplasja e tyre ishte edhe në rrafshin personal. Kjo në fakt për shumë njerëz ka krijuar habi por jo edhe për dikë që nuk e ka larguar historikun e tyre të koalicionimeve nga mbamendja. Nga themelimi i tyre kur koalicionin e deri tek ky i fundit me Alternativën e Gashit, janë akuzuar për jokorrektësi, mashtrim në përpilim të listave, vendime të njëanshme, braktisje të koalicionit për interesa të ngushta, etj. Ndoshta ky përqafim i tyre me BDI vjen si rrjedhojë se atyre nuk u mbetet edhe shumë partnerë të tjerë për të koalicionuar sepse me të tjerët e kanë “dhjerë” siç shprehet qytetari sidomos pas dorës së zgjatur nga Lëvizja BESA për zgjedhjet lokale të përsëritura në Tetovë.
Dhe të thuash se jemi trashëgimtarë të Arbërit, kur ke lënë një katrahurë pas vetes është deklarim nënçmues kunddrejt vet figurës së A. Xhaferit.
Sepse ai nuk u pajtua kurrë me veprën e shëmtuar dhe kurrë nuk rreshti së shkruari kundër saj. Kaq pak paskeni mësuar nga ai. Mos e ofendoni veten e hiç më pak atë …
Keni hyrë në koalicionim të turpit me paketimin “gënjeshtrën” e integrimit. Por keni harruar se kampion i kësaj genjeshtre 20 vjeçare është padroni juaj qeverisës që edhe emrin e partisë e përfundojnë me integrim. Ata janë veteranë të gënjeshtrës ndërsa ju shumë herët keni filluar ta amnistoni veten dhe ata. Plot 5 ditë ata akoma nuk kanë folur asnjë fjalë të vetme tek po buzëqeshen ëmbël duke shijuar komedinë që po e bëni. Nejse, se keni të parën herë. Njëherë u futet me ata, nuk u zgjati më shumë se 100 ditë. Tani smë habit asgjë. Qesharake do kishin me qenë arsyetimet kur ta braktisni …