Vala e vjeshtës merr hov në Maqedoni, apelohet për respektim të masave


Numri i rasteve të reja me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut vazhdon të rritet. Dje u regjistruan 865 raste, ndërsa numri i përgjithshëm ka arritur në 32.436.
Vala e vjeshtës i ka mbushur edhe kapacitetet spitalore. 691 janë të shtruar në spital, prej të cilëve 123 me mbështetje të oksigjenit, ndërsa dy në respirator.

Autoritetet shëndetësore bëjnë apel për respektim të masave, ndërsa nga Ministira e Shëndetësisë thonë se janë rritur kapacitetet për testim për COVID-19 në institucionet shëndetësore publike.
Nga MSH thonë se të gjithë laboratorët shtetërore, kanë numër të mjaftueshëm të testeve. Kurse ministri Venko Filipçe, njoftoi se sot do të arrijnë 13 mijë teste të shpejta, të cilët për 15 minuta tregojnë rezultatin për coronavirus.

Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë kanë nisur fushatë për mbajtjen e maskës, me qëllim që të ngrisin vetëdijen tek qytetarët për rëndësinë e respektimit të masave.