Vaksinohen Vjosa Osmani e Glauk Konjufca

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca kanë marrë sot vaksinën anti-COVID në qendrën e vaksinimit “1 Tetori” në Prishtinë.
Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për medie nga Ministria e Shëndetësisë.

Osmani e Konjufca kanë marrë dozën e parë të vaksinës gjatë vizitës së tyre në qendër nga ku kanë bërë thirrje që edhe qytetarët të vaksinohen.
“Presidentja dhe Kryetari i Kuvendit u vaksinuan me dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19 në përputhje me planin për vaksinim të Ministrisë së Shëndetësisë”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, qëllimi i kësaj vizite bëhet e ditur se ka qenë për të parë nga afër përgatitjet për fillimin e vaksinimit në masë që do të filloj nga java e ardhshme.
“Njëkohësisht shprehën mirënjohjen e tyre për Ministrinë e Shëndetësisë dhe personelin shëndetësor për sigurimin e vaksinave dhe procesin e vaksinimit. Ministri Vitia i njoftoj se deri tani nga afër 100 mijë qytetarë të vaksinuar, nuk ka pasur asnjë efekt serioz anësor dhe se vaksinat janë të sigurta dhe ky proces po ecën sipas planit”, thuhet tutje në komunikatë.

Presidentja Osmani, me këtë rast ka porositur të gjithë qytetarët që sapo të fillojë vaksinimi masiv, t’i përgjigjen ftesës për vaksinim të Ministrisë së Shëndetësisë.
“Vaksinat janë të sigurta dhe vetëm përmes vaksinimit dhe respektimit të masave, do të mund t’i kthehemi normalitetit duke mposhtur virusin COVID-19. Sipas saj, vaksina duhet të kuptohet edhe si përgjegjësi, ngase krijojnë siguri dhe mundësojnë këndelljen ekonomike të vendit nga pasojat e pandemisë”, thuhet tutje në komunikatë.

Edhe kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka ftuar qytetarët që ta marrin vaksinën, sepse është zgjidhja më e mirë kundër COVID-19.
Sipas tij, me vaksinim lehtësohet edhe shteti, ngase bëhet e mundshme hapja, rikthimi i normalitetit, por edhe stabilitet i përgjithshëm.