Vaksinat nga BE-ja, miratohen 119 mijë doza për Maqedoninë e Veriut


Austria ka pranuar kërkesën e Komisionit Evropian për dërgimin e vaksinave për Ballkanin Perëndimorë. Ministri i jashtëm i Austrisë, tha se disa ditë më parë kanë nënshkruar marrëveshje me të gjashtë partnerët nga Ballkani Perëndimor, pasi janë zgjidhur të gjitha çështjet në lidhje me dorëzimin dhe aspektet ligjore. Nga 651,000 dozash që do të dërgohen për rajonin e Ballkanit, 119 mijë janë ndarë për Maqedoninë e Veriut dhe të njëjtat do të financohen përmes fondeve IPA II të miratuara nga Komisioni Evropian në fund të dhjetorit të vitit të kaluar.

Aleksander Schalenberg, ministër i Jashtëm i Austrisë
“Duke qenë se Ballkani Perëndimor është një përparësi e politikës së jashtme austriake, Austria menjëherë pranoi kërkesën e Komisionit Evropian në shkurt për të koordinuar shpërndarjen e vaksinave në Ballkanin Perëndimor. Për këtë qëllim, ne kemi siguruar 651,000 doza të vaksinës Biontec / Pfizer dhe disa ditë më parë kemi lidhur marrëveshje me të gjashtë partnerët në Ballkanin Perëndimor, pasi kemi zgjidhur të gjitha çështjet që lidhen me vetë shpërndarjen dhe aspektet ligjore. 119 mijë doza do të dorëzohen në Maqedoninë e Veriut në disa pjesë, duke filluar nga maji deri në fund të gushtit”.

Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë sot ju ka bërë thirje qytetarëve që të vaksinohen me qëllim që sa më shpejtë t’i kthehemi jetës normale dhe afërsisë mes njerëzve.

Venko Filipçe
“Vaksina është mënyra më e mirë për të luftuar pandeminë. Secili prej nesh duhet të marrë pjesë në atë betejë. Vetëm kështu mund t ‘ i kthehemi jetesës normale, afërsisë së njerëzve të dashur, shoqërive me miq. Aplikoni interesim për vaksinimin tek vakcinacija. Mk”

Kryediplomati austriak ka folur edhe për covid-pasaportat që BE ka në plan të prezantojë duke thënë se Austria mbështet plotësisht certifikimin dixhital, por sqaroi se kjo certifikatë nuk është një ‘pasaportë vaksine’. Ai tha se certifikata nuk do të jetë në dispozicion vetëm për njerëzit që janë vaksinuar, por edhe për ata që janë testuar ose kanë pasur sëmundjen, në mënyrë që të sigurojnë përfitime maksimale. Qëllimi i kësaj certifikate, sipas ministrit të jashtëm austriak, është mundësimi i një lëvizshmërie më të madhe që do të nxisë ekonominë dhe turizmin gjatë sezonit të verës.