Vajzat nga shkolla i largon martesa e hershme

Përkundër faktit se analfabetizmi në vend është në përputhje me mesataren evropiane, gjegjësisht 1.2%, vërehet një hendek i madh gjinor, kështu që nga 18.897 analfabetët e regjistruar gjatë regjistrimit të popullsisë, numri më i madh i tyre janë gra apo rreth 13.380 gra analfabetë. Edhe pse viteve të fundit është bërë progres në këtë aspekt, analfabetizmi assesi të eliminohet tërësisht.

Tradita e martesave të hershme te vajzat dhe detyrimi për ta veshur një vello, vazhdon t’i largojë ato nga bankat e shkollës. Numri i përgjithshëm i meshkujve analfabetë në vend është 6988, ndërsa numri i femrave analfabetë arrin në 16.204. Dallimi më i madh është tek arsimi fillor, ku numri i meshkujve pa arsim fillor është rreth 20.000, ndërsa numri i femrave pa arsim fillor dyfishohet dhe arrin në 42.000. Një fakt tjetër interesant është se te popullata e re deri në moshën 29 vjeçare, 87.000 meshkuj kanë vetëm arsim të mesëm, ndërsa te femrat ky numër është më i ulët dhe sillet rreth 69.813.

Sa më e madhe të jetë mosha e grupit demografik, aq më i madh është hendeku gjinor mes të paarsimuarve, numri i femrave të paarsimuar nga mosha 45 deri në 66 vjeç në vendin tonë është 4.784, ndërsa në të njëjtën grupmoshë te meshkujt është 1.983.

Nga njohësit e fushës thuhet se një nga indikatorët kryesor që ndikon në analfabetizmin në numër kaq të madh te gratë është martesa e hershme e tyre. Sipas Atlasit të Martesave të të Miturve, ku përdoren të dhënat e viteve 2020 dhe 2021, 7% e vajzave në vendin tonë janë martuar para moshës 18 vjeçare dhe 1% e tyre janë martuar para moshës 15 vjeçare. Gjithashtu, sipas hulumtimit, martesat e fëmijëve mbizotërojnë në rajonin e Vardarit, ku 19% e grave të moshës 29 deri në 40 vjeç janë martuar para ditëlindjes së tyre të 18-të.

Vlerësohet se numri i martesave të fëmijëve është tre herë më i lartë në zonat rurale të vendit. Sipas raportit të UNICEF, 43% e vajzave rome janë martuar para moshës 18 vjeçare. Sipas statistikave të publikuar nga Strategjia Nacionale për Barazi Gjinore 2021-2026, nga personat që braktisin shkollën në moshën e hershme 18-24 vjeç, pjesa më e madhe janë femra. Sipas statistikave të publikuar në vitin 2021, 19% e grave dhe 17% e burrave të moshës 15-24 vjeç nuk ishin të punësuar apo të përfshirë në arsim, trajnim apo në jetën aktive.

Ndërkohë sipas Indeksit të përfshirjes së romëve, 23% më pak gra nga komuniteti rom përfundojnë arsimin fillor dhe 48% më pak gra rome në krahasim me djemtë rom përfundojnë arsimin e mesëm. Shumica e grave rome braktisin shkollën për shkak të martesës së hershme – 22% e grave rome të moshës 15-19 vjeç janë të martuara ose kanë bashkëjetesë. Sipas rezultateve të testit PISA, vajzat i kalojnë djemtë në njohuri në matematikë me shtatë pikë, dhe në shkencë me 19 pikë. (koha.mk)