Vajza që publikoi videon e rastit “Orenda” nderohet me mirënjohje nga Prokuroria e Pejës

Aktorja Kaltrinë Zeneli, e cila ka publikuar videon e rrahjes së të moshuarës, është nderuar me mirënjohje nga Prokuroria Themelore në Pejë. Kjo mirënjohje Zenelit i është ndarë “për guximin dhe kontributin e dhënë në paraqitjen e rastit ‘Orenda’, si dhe inkurajimin e qytetarëve për raportimin e rasteve në Prokurori”. Ajo ka thënë se gëzimin po ia zbeh fakti që një mirënjohje e tillë u nda për herë të parë nga Prokuroria e Pejës.

“Jo se do më lumturonte fakti që do duhej të ndahen më shumë mirënjohje të tilla, se për t’u ndarë një mirënjohje e tillë do duhej të ndodhte një rast i tillë, e unë uroj me gjithë zemër që këso lloj rastesh të mos përsëriten më kurrë, por do më lumturonte nëse njerëzit do gjenin guximin për të raportuar, sepse e dimë mirë që nuk ishte e nuk ka qenë rast i vetëm në shoqërinë tonë. Unë vetëm i dhashë dritë një zëri i cili sot e asaj dite edhe për mua mbetet anonim”, ka shkruar Zeneni në Facebook. Në fund, ajo ka uruar që raste të tilla të mos mbeten më anonime, e njerëzit të kenë guxim të dalin hapur dhe të raportojnë.

“Këtë mirënjohje ia dedikoj personit që më dërgoi videon. Unë nuk do hezitoj të jap zë edhe herë tjetër, por uroj që mos të kem nevojë ta bëj më”, ka përfunduar Zeneli.Ndryshe, sulmi fizik ndaj të moshuarës në Pejë ka ndodhur më 2 nëntor. Tri infermiereve të dyshuara për dhunimin fizik të të moshuarës në shtëpinë e pleqve në Pejë fillimisht u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji. Të pandehurat A.P, A.R dhe R.K, dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Sulmi”. Por të njëjtat, me vendim të Gjykatës Supreme, më 25 nëntor janë liruar nga paraburgimi. Lidhur me këtë rast, ka pasur reagime të shumta, si dhe protesta, derisa shtëpisë së të moshuarve “Orenda”, ku ka ndodhur sulmi i është hequr licenca.