Një vajzë 12-vjeçare nga Belgjika është bërë personi më i ri në Evropë që vdes nga koronavirusi.
Zëdhënësi i qeverisë belge, Emmanuel Andre, tha se rasti fatal në këtë moshë është dukuri shumë e rrallë dhe se vdekja e vajzës i ka tronditur të gjithë.
Ky ishte rasti i parë që një fëmijë vdes nga koronavirusi në Belgjikë, ku deri më tani janë regjistruar 705 të vdekur, në bazë të të dhënave zyrtare.
Në mbarë botën, shumica e fëmijëve janë kursyer nga sëmundja e re, e cila i ka prekur më së shumti personat e moshuar.
Para këtij rasti, personi më i ri në Evropë që vdiq nga koronavirusi ishte djali 14-vjeçar nga Portugalia, Vitor Godhino. Ai vdiq në orët e para të së dielës.
Më parë, Julie Alliot, nxënse 16-vjeçare nga Franca, gjithashtu vdiq nga koronavirusi më 25 mars dhe deri në atë datë ishte viktima më e re në Evropë.