UT: Rreth 2000 studentë të rinj i filluan studimet në Universitetin e Tetovës

Përmes një ceremonie solemne, Universiteti i Tetovës sot zyrtarisht e filloi vitin e ri akademik 2021/2022. Në sheshin e Rektoratit të Universitetit të Tetovës, rreth 2000 studentë u mirëpritën nga stafi udhëheqës i Universitetit, të cilët u uruan suksese në rrugëtimin e tyre.

Prorektori për arsim, Prof. Dr. Reshat Qaili, deklaroi se ndjen gjithmonë kënaqësi t’u drejtohet studentëve me fjalë rasti pasi ngjarjet e tilla paraqesin momente të veçanta e që shënojnë kthesa të rëndësishme në jetën e secilit prej nesh. “E tillë është edhe ceremonia e sotme, ku të gjithë së bashku u urojmë mirëseardhje studentëve të rinj dhe jo vetëm, i hapim auditorët e fakulteteve tona për qindra studentë, të cilët pa u hamendur kanë vendosur që formimin e tyre profesional t’ia besojnë Universitetit të Tetovës. Ky përcaktim, e mban gjallë frymën, vizionin dhe vlerat mbi të cilat u themelua 27 vjet më parë ky institucion i arsimit të lartë në gjuhën shqipe.

Është viti i dytë me radhë që vitin akademik e fillojmë në kohë pandemie dhe të detyruar t’i respektojmë masat kundër përhapjes së Covid-19. Në këtë betejë globale, duhet theksuar se janë përsëri universitetet që kanë dhënë kontribut të çmuar në menaxhimin e situatës dhe të pasojave që lë pas kjo pandemi e rrezikshme për mbarë botën. Ne jemi të vetëdijshëm për detyrat që kemi përpara qytetarëve tanë të cilët me të drejtë në institucionet universitare shohin shpresën, zhvillimin dhe të ardhmen e brezave.

Falë besimit të qytetarëve dhe ndërveprimit me ta, sot me krenari e theksojmë se bashkërisht këtë institucion kemi arritur ta shndërrojmë në lartësinë e emrit që përfaqëson, në vatrën kryesore të arsimit dhe shkencës për të rinjtë e vendit tonë, por edhe për qytetarët nga Lugina e Preshevës, Republika e Kosovës, Republika e Shqipërisë dhe vëllezërit tanë nga diaspora” tha Prorektori për arsim, Prof.Dr. Reshat Qaili.

Universiteti ynë ofron studime cilësore dhe diploma të pranuara edhe jashtë vendit, ku studentët mund t’i vijojnë studimet e mëtejme, ose të inkuadrohen në punë sipas kualifikimit dhe përgatitjes së tyre profesionale. Me vendim të Senatit, për çdo vit Universiteti i Tetovës u ndan bursa studentore ekselentëve, që gjatë studimeve arrijnë t’i plotësojnë kriteret e kërkuara.

“Ndarja e bursave studentore i ka inkurajuar studentët, ka rritur konkurrencën dhe ka dhënë frytet e saj në kualifikimin e juristëve, mjekëve, profesorëve, inxhinierëve të shkëlqyer dhe kuadrit tjetër të nevojshëm për zhvillimin ekonomik të vendit dhe progresin e përgjithshëm shoqëror. Zbatimi i sistemit të meritokracisë, motivimi i të rinjve tanë për të punuar dhe thelluar studimet e tyre, ka dhënë efektet e tij në të gjitha segmentet e veprimtarisë arsimore në Universitetin e Tetovës. Si rezultat i aplikimit të këtyre standardeve dhe rritjes së besueshmërisë te qytetarët, interesimi i studentëve të rinj për t’i vijuar studimet në UT është për t’u përshëndetur. Ne lëmë pas një vit dhe e fillojmë një vit të ri akademik. Bazuar në gjendjen e përgjithshme shëndetësore që mbretëron në mbarë botën, ne kemi bërë përpjekjet tona institucionale që t’i bëjmë përgatitjet e nevojshme që këtë vit procesin arsimor ta zhvillojmë pa pengesa. Në auditorët tanë ligjëratat do t’i fillojmë me prezencë fizike dhe urojmë që të mos kemi nevojë të aplikojmë forma dhe variante të tjera të ligjërimit ” përfundoi Prorektori për arsim, Prof.Dr. Reshat Qaili.

Më pas studentët e rinj së bashku me dekanët, stafin udhëheqës dhe profesorët e fakulteteve përkatëse iu drejtuan auditorëve të fakulteteve të tyre. Në pjesën më të madhe të drejtimeve studimore mësimi do të fillojë me prezencë fizike, ndërsa studentët obligohen që t’i respektojnë masat e caktuara për mbrojtje nga Covid – 19.