UT dhe Shoqata evropiane për studimin e moleve dhe fluturave bashkorganizojnë kongresin e dytë ne terren 2021

Universiteti i Tetovës në bashkëpunim me Shoqatën evropiane për studimin e moleve dhe fluturave e organizojnë kongresin e dytë në terren në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Kongresi do t’i zhvillojë punimet nën patronazhin e Institutit për Ekologji dhe Teknologji në kuadër të Universitetit të Tetovës dhe Societas Europaea Lepidopterologica (SEL) dhe do zgjasë prej 26 e deri më 31 korrik, ku pjesëmarrësit, hulumtuesit e kësaj fushe me punën e tyre në teren do të ofrojnë njohuri të reja mbi vlerën e Malit Sharr për faunën e fluturave dhe moleve.

Punimet e kongresit i shpalli të hapura Prorektori për Shkencë i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Hazir Pollozhani. Këto praktika të studimeve në terren tashmë janë pjesë e punës së rregullt të Universitetit tonë dhe këtë e kemi dëshmuar në të kaluarën me realizimin e projekteve të tjera ndërkombëtare të cilat kanë pasur në fokus mbrojtjen e ambientit jetësor, florës dhe faunës si dhe çështje të tjera e rëndësishme si në nivel lokal, rajonal po ashtu edhe në nivelin ndërkombëtar.

“Është kënaqësi e veçantë për mua, që në emër të Universitetit të Tetovës dhe në emrin tim, t’u shpreh mirënjohjen më të sinqertë të gjithë Juve që merrni pjesë në Kongresin e dytë në terren në Republikën e Maqedonisë së Veriut i cili organizohet nga Instituti Ekologjik dhe Teknologjik i UT-së dhe Shoqata evropiane për studimin e moleve dhe fluturave. Kjo veprimtari shkencore edhe pse mbahet në përmbyllje të vitit akademik 2020/2021, na ka mobilizuar neve dhe partnerët tanë që të njëjtën ta realizojmë sipas standardeve dhe kritereve që e meriton një ngjarje kaq e rëndësishme hulumtuese.

Universiteti ynë, si institucion i arsimit të lartë, përveç aktiviteteve të drejtpërdrejta në fushën ekologjike, jep kontribut edhe në sferën e trajtimit shkencor të këtyre problemeve, dhe përmes Institutit Ekologjik dhe Teknologjik tashmë jemi kyçur në projekte të rëndësishme dhe iniciativa për marrjen e masave për mbrojtjen e mjedisit në mënyrë që gjeneratat e reja të kenë ambient jetësor më të shëndoshë dhe të denjë për të jetuar. Është në detyrën tonë që të punojmë me përkushtim në sferën e ekologjisë dhe ambientit të shëndoshë dhe në zbatimin kritereve themelore, si ruajtjen e shëndetit të njeriut, përparimin e mjedisit jetësor dhe ruajtjen e pasurive natyrore” – u shpreh Prorektori për Shkencë Prof. Dr. Hazir Pollozhani.

Kryetari i Shoqatës evropiane për studimin e moleve dhe fluturave z. Erik van Nieukerken theksoi se Kongresi në terren 2021 i sjell në një vend komunitetin ndërkombëtar të Lepidopterologëve, me mision mbledhjen e fluturave dhe moleve në Malin Sharr “E falënderoj Rektorin e Universitet të Tetovës Prof. Dr. Vullnet Ametin bashkë me stafin e tij, për ftesën dhe organizimin e këtij eventi. Gjëja kryesore e organizatës tone është që të tubojë të interesuarit për flutura dhe mole. Ne i mirëpresim profesorët, hulumtuesit, studentët dhe të tjerët që janë të interesuar në fotografimin dhe mbledhjen e llojeve të fluturave dhe moleve. Për t’i tubuar këta njerëz, kemi nevojë pikërisht për konferenca.

Me padurim presim që të dalim në për fusha dhe ledina e të kërkojmë lloje të fluturave dhe veçanërisht moleve, sepse kemi shumë gjëra për të zbuluar në Malet e Sharrit, dhe besoj se do të kemi bashkëpunim të frytshëm. Shoqata jonë që merret me studimin e moleve dhe fluturave Societas Europaea Lepidopterologica (SEL) është shoqatë evropiane për studimin e molëve dhe fluturave dhe ruajtjen e këtyre insekteve dhe habitateve të tyre natyrore. Është e themeluar në vitin 1976, qëllimi i shoqatës është promovimi i bashkëpunimit midis Lepidopteristëve të Evropës, Azisë Perëndimore, dhe Afrikës Veriore dhe promovimi i ruajtjes së Lepidopterës dhe habitateve të saj” – u shpreh z. Erik van Nieukerken.

Ndërsa Drejtori i Institutit Ekologjik dhe Teknologjik i UT-së, Prof. Dr. Vlladimir Krpac, të pranishmit i njoftoi me programin e kongresit dhe punën në teren që do të realizohet gjatë ditëve në vijim. Në këtë ngjarje shkencore po ashtu u tha se përmirësimi i gjendjes së përgjithshme ekologjike nëpërmjet përpilimit të strategjisë gjithëpërfshirëse, si dhe promovimi i vetëdijes dhe përgjegjësisë shoqërore për ruajtjen e mjedisit jetësor dhe rritjes së përkrahjes publike për aksione ekologjike do të ndikojnë në përforcimin e kapaciteteve për menaxhimin e problemeve ekologjike.