Ushtarët rusë qëllojnë civilët ukrainas pas shpine

“BBC” zbardh historinë e vrasjes së një civili të paarmatosur në Ukrainë
Leonid Pliats, roje në një biznes në Ukrainë dhe shefi i tij qëllohen pas shpine nga ushtarët rusë. Vrasja e dyfishtë u kap nga kamerat e sigurisë me detaje të qarta dhe të tmerrshme.

Pamjet e siguruara nga “BBC” tani po hetohen nga prokurorët ukrainas si një krim i dyshuar lufte.
Luftimet rreth Kievit kishin arritur kulmin dhe rrugët kryesore për në kryeqytet ishin një fushë beteje, duke përfshirë edhe një dyqan biçikletash ku Leonid punonte si roje sigurie.

Rusët mbërrijnë me një furgon të vjedhur të veshur me shenjën V të përdorur nga forcat ruse. Ushtarët afrohen me armët lart, me gishta në këmbëza. Leonidi ecën drejt ushtarëve rusë me duart lart për të treguar se është i paarmatosur dhe se nuk përbën kërcënim.

Rusët fillimisht flasin me të dhe shefin e tij përmes gardhit. Nuk ka audio në pamje, por burrat duken të qetë, madje pinë duhan. Pastaj të dy civilët largohen e më pas edhe ushtarët rusë. Papritur ata kthehen prapa, përkulen dhe i qëllojnë dy burrat disa herë në shpinë.

Shefi i tij ndërron jetë menjëherë ndërsa Leonid ecën e madje përpiqet të ngadalësojë rrjedhjen e gjkut duke shtrënguar plagën. Ai përpiqet të kërkojë ndihmë nga miqtë e tij por ndihma nuk vjen në kohë për shkak të ushtarëve rusë rrotull.

Nga pamjet e publikuara ushtarët rusë shihen duke qëlluar nëpër dhoma, duke vjedhur biçikleta, e madje duke pirë uiski në zyrën e pronarit të dyqanit. Por pas disa minutash ushtarët rusë kuptojnë se po filmohen dhe fillojnë të thyejnë një nga kamerat e sigurisë. Zyra e Prokurorit në Ukrainë konfirmon se po heton vrasjen e Leonidit dhe kolegut të tij si një krim i mundshëm lufte, një nga më shumë se 10,000 rastet që janë regjistruar.