Ushqimet shqiptare që i mbijetuan kohës


Të rralla janë qytetet ku jetojnë shqiptarët e që dallohen për ushqimet specifike. Kryesisht në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, ku jetojnë pjesa dërmuese e popullatës shqiptare në Ballkan dominojnë ushqimet e njëjta, apo të ngjashme. Por, pak prej tyre ofrohen në treg. Në sofrën shqiptare zakonisht shtrohen produkte nga brumi e mishi. Buka e shtëpisë mund të gjendet pothuajse në çdo shtëpi. Kuzhina shqiptare edhe pse disponon me shumëllojshmëri të recetave ato fare pak gjenden të gatshme.

Tava e Elbasanit, referencë e autencitetit
Ndër shekuj Tava e Elbasanit ka mbetur si specialitet i dalluar i kuzhinës shqiptare. Zhvillimet historike nëpër të cilën ka kaluar ky qytet aspak nuk kanë ndikuar që banorët e saj t’a harrojnë recetën e këtij ushqimi. Ai, edhe më tej shërbehet nëpër restorantet e Elbasanit, por jo vetëm.Tava e Elbasanit, thuhet se u bë e famshme gjatë kohës së Perandorisë Osmane për shkak se atë e pëlqeu Mehmeti II –Fatiu.

Fërgesë Tirane
Një ushqim tradicional shqiptar që i ka mbijetuar kohës, dhe i cili ende gjendet në menytë e Tiranës, është “Fërgesa Tiranëse”. Ky gatim njihet edhe si ushqim tipik e tradicional i Shqipërisë së Mesme. Ndryshe, sivjet në Tiranë u mbajtë edicioni i pestë i titulluar “Festa e Fërgesës”, eventi ky i cili u ka shndërruar në traditë të përvitshme për banorët e kryeqytetit të Shqipërisë.

Pitajkat (samunat) mes Gjakovës dhe Prizrenit
Në qytetin e Prizrenit, njihen si pitajka, ndërsa në Gjakovë, si samuna. Por, në esencë bëhet fjalë për të njëjtin produkt i cili e karakterizon ushqimin në këto dy qytete të Kosovës. Bukëpjekësit e këtyre qyteteve për çdo mëngjes, mirëpo edhe gjatë ditës ofrojnë pitajka (samuna) taze. Pitajkat dikur përgatiteshin me miell, krip, maja të bukës dhe ujë. Ndërsa, me kalimin e kohës kjo recetë ka pësuar ndryshime dhe tash më të njohura janë pitajkat me suxhuk. Kërkesa më e theksuar për këtë ushqim është gjatë kohës së muajit të Ramazanit.

Jufkat e Dibrës
Ndonëse qyteti i Dibrës, shtrihet në dy shtete atë të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, atë e bashkon jufka, një ushqim i moçëm i gatuar me brumë dhe vezë, e më pas i tharë në diell. Përgatitja e jufkave në Dibër fillon në vjeshtë, si një përgatitje për dimër. Dikur dibranët jufkën e kishin si ushqim bazë për dimër, kurse sot ky produkt përveç se përgatitet për konsum personal, ai ofrohet edhe në tregun e lirë. Receta e këtij produkti mendohet të ishte zbuluar në shekullin XIV.

Bukë në bukë
Gastronomia autoktone e qytetit të Shkupit, në të cilën jetojnë një pjesë e konsiderueshme e popullatës shqiptare dallohet me simit pogaçen. Pothuajse të gjitha furat e bukës në këtë qytet e përgatisin dhe e shesin këtë lloj të ushqimit. Mes popullit ndryshe njihet edhe si specialiteti “bukë në bukë”. Pitja e yndyrshme (pogaçja) dhe buka (simit) në vetë nuk përmbajnë asnjë përbërës tjetër, si rasti i mishit apo djathit në byrek. Koha e saktë nga kur daton kjo recetë askush nuk mund t’a thotë. Por, karakteristikë është se simit pogaçja mund të shijohet vetëm në Shkup./ TRT Balkan