Banorët e Urviçit kanë kushtëzuar instalimin e ujësjellësit në Siniçan. Edhe pse të gjithë palët pas takimit deklaruan se ka përparim në bisedime banorët e Urviçit kanë kushtëzuar fillimin e punimeve të ujësjellësit me realizimin e pesë projekteve në fshatin e tyre.
Për kryetarin e Bogovinës Albon Xhemaili kërkesat janë të realizueshme por Qeveria duhet të ndihmojë me mjete shtesë.
“Takimi ishte konstruktiv. Por edhe banorët e Urviçit dolën me ca kërkesa. Faktikisht, kanë 5 kërkesa dhe unë mendoj se këto kërkesa janë të realizueshme dhe duhet t’u ndihmohet. Kërkojnë ndërrimin e tubacionit të vjetërsuar të cilët kërkojnë nëpërmjet Qeverisë mjete për t’u realizuar kërkesat e tyre. Kanë edhe katër kërkesa por unë nuk dua t’i zbulojë për shkak të procesit që mos të ketë situata të ndryshme dhe keqkuptime” tha kreu i Bogovinës, Albon Xhemaili.
Banorët e Urviçit sipas Xhemailit janë kundër rinisjes së punimeve në Siniçan deri sa nuk marrin një premtim për kërkesat e tyre. Për kushtëzimin e ujësjellësit përfaqësuesi i bashkësisë lokale të Urviçit nuk foli para mediave. Njoftoi vetëm se ka përparim në bisedime.