Sot u shënua 30-vjetori i themelimit të Universitetit të Tetovës. Me këtë rast, u mbajt një akademi solemne.
“Me ndjenjë krenarie dhe mirënjohjeje të thellë, sot qëndroj para jush për të festuar këtë moment të veçantë në historinë e institucionit tonë: 30-vjetorin e themelimit të një institucioni arsimor që u ngrit me guximin, vullnetin dhe përkushtimin e popullit tonë, në një kohë kur ideja për një universitet në gjuhën shqipe u përball me sfida dhe kundërshtime të mëdha. Universiteti ynë nuk është thjesht një ndërtesë. Ai është simbol i përpjekjeve dhe i besimit të një kombi në fuqinë e dijes,” tha rektori Jusuf Zejneli.
Rektori i universitetit theksoi gjithashtu se arsimi i lartë po përballet me sfida të reja.
Gjatë akademisë, iu nda titulli “Doktor Honoris Causa” ish-politikanit dhe aktivistit Nevzat Halili.