Universiteti i Tetovës nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Institutin e Kriobiologjisë dhe Teknologjive Ushqimore të Bullgarisë

Një delegacion i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit i Universitetit të Tetovës më 30 qershor 2021 e vizitoi Institutin e Kriobiologjisë dhe Teknologjive Ushqimore me seli në Sofje të Republikës së Bullgarisë. Delegacioni i përbërë nga Dekani i FTUU-së Prof. Dr. Xhezahir Idrizi bashkë me dy profesorët e këtij fakulteti, Doc. Dr. Namik Durmishi dhe Prof. Dr. Ismail Ferati zhvilluan një takim pune me Drejtoreshën e Institutit të Kriobiologjisë dhe Teknologjisë Prof. Dr. Iliana Naçeva.

Në këtë takim Dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit Prof. Dr. Xhezahir Idrizi fillimisht bëri një prezantim të shkurtër të rrugëtimit të Universitetit tonë ndër vite që nga themelimi e deri më sot. Veç kësaj dekani foli edhe për fakultetin që ai e drejton, programet studimore si dhe po ashtu u fokusua edhe te laboratorët e shumtë të cilët funksionojnë në kuadër të këtij fakulteti. Në fund të fjalës së tij ai shprehu falënderimet ndaj Drejtoreshës së Institutit të Kriobiologjisë dhe Teknologjive Ushqimore për mbështetjen dhe gatishmërinë e treguar, për të bashkëpunuar me Universitetin e Tetovës.

Ndërsa Drejtoresha Institutit të Kriobiologjisë dhe Teknologjive Ushqimore Prof. Dr. Iliana Naçeva tha se për Institutin që ajo drejton, është kënaqësi që listës së shumë universiteteve nga Ballkani me të cilat Instituti ka marrëveshje bashkëpunimi i është bashkangjitur edhe Universiteti i Tetovës, bashkëpunim ky që do jetë në dobi të studiuesve shkencorë dhe të gjithë studentëve.

Në këtë takim u bisedua për fillimin e implementimit të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Institutit të Kriobiologisë dhe Teknologjive Ushqimore dhe Universitetit të Tetovës, përkatësisht Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit. Sipas marrëveshjes së nënshkruar, parashihet që të sigurohet një kornizë për realizimin e programeve arsimore dhe hulumtuese, për zhvillim dhe përhapje shkencore, teknologjike dhe kulturore, për shkëmbimin e informatave dhe trajnimeve ne nivel universitar.

Gjithashtu në të ardhmen do të realizohen edhe programe dhe aktivitete me interes të përbashkët si: shkëmbimi i stafit mësimdhënës dhe kërkimor, shkëmbimi i studentëve, shkëmbimi i administratës dhe personelit të shërbimeve, programe të përbashkëta hulumtuese, pjesëmarrja në takime studimore, seminare dhe kurse, shkëmbimi i materialeve shkencore dhe mësimore, programe të përbashkëta të arsimit, zhvillimi dhe zbatimi i programeve të përbashkëta pasuniversitare dhe bashkëpunimi mbi mbikëqyrjen e objektit të bashkëpunimit dhe studentëve të doktoratës dhe aktivitetet e transferimit të njohurive.