Universiteti i Tetovës mori pjesë në debatin publik mbi Propozim-ligjin për shpalljen park kombëtar të një pjese të Malit Sharr

Universiteti i Tetovës mori pjesë në debatin publik të organizuar nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor mbi Propozim-ligjin për shpalljen e një pjese të Malit Sharr si zonë e mbrojtur në kategorinë II – Park Kombëtar. Për shkak të pamundësisë për t’u realizuar me prani fizike, debati publik u realizua përmes platformës elektronike ZOOM.

Rektori i Universitet të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti e përshëndeti këtë organizim, me ç’rast theksoi se iniciativat e kësaj natyre që po ndërmarrin institucionet tona, kontribuojnë për ta njohur në mënyrë shkencore biodiversitetin e masivit malor të Sharrit, që paraqet një kompleks të veçantë të llojshmërisë gjeologjike dhe gjeobotanike, hidrologjike, biogjeografike dhe elemente të tjera, të cilat gërshetohen mes tyre, dhe tanimë kanë zgjuar kureshtjen e shumë hulumtuesve shkencorë dhe komunitetit akademik. “Sikurse e dini, Universiteti ynë këtë problematikë e ka trajtuar me kompetencë shkencore, ne, në qershor të vitit 2013 me pjesëmarrjen e studiuesve të njohur kemi shpalosur të dhëna të hollësishme për masivin malor të Sharrit, rëndësinë e bimëve dhe kafshëve të egra, vegjetacionin, masat mbrojtëse, mënyrat e ruajtjes së natyrës dhe të mjedisit, si dhe shumë detaje të tjera të kësaj fushe. Në studimet që ka realizuar Instituti Ekologjik dhe Teknologjik i Universitetit të Tetovës, vlerësohet se të gjitha thesaret natyrore të Malit Sharr, flora dhe fauna, objektet me rëndësi të veçantë kulturore dhe historike, të përcaktuara me ligj, janë vlera me interes të përgjithshëm për vendin tonë dhe duhet të gëzojnë mbrojtje të veçantë. Shteti ynë, përmes institucioneve përkatëse duhet të garantojë mbrojtjen, promovimin e pasurisë natyrore, thesareve historike dhe kulturore. Për shkak të vlerave të larta natyrore, Mali Sharr është përfshirë në shumë nisma evropiane dhe është përcaktuar Zona e Smeraldit, Zona e Rendit të Zogjve, Zona e Rëndësishme e Bimëve dhe Zona e rëndësishme e fluturave. Rrjeti Smerald është një rrjet i zonave me interes të veçantë për konservimin (ASCI), të caktuar për ruajtjen e rrjetit të habitatit natyror dhe është zhvilluar në territorin e Shteteve Anëtare të Konventës së Bernës (Konventa për ruajtjen e jetës së egër dhe habitateve natyrore në Evropë). Për shkak të vlerave të larta natyrore, Mali Sharr është njohur prej kohësh në shumë nisma globale”, tha Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini tha se ky është një proces i cili vazhdon afërsisht 20 vite. Ka arritur në një shkallë ku mund të shpallet park nacional. “Ky është vetëm propozim, në asnjë mënyrë nuk kemi mendim të kemi ndikime negative për qytetarët. Ideja është ta ruajmë natyrën tonë, të mendohemi se çfarë do t’u lëmë fëmijëve tanë nesër. Ta përdorim natyrën në mënyrë të qëndrueshme edhe të kemi zhvillime siç duhet. Normalisht që ne nuk duam të kemi ndikim tek qytetarët, por do ta përdorim këtë mundësi, që ta mbrojmë Malin Sharr, por njëkohësisht të zhvillojmë ekonominë me ekonomi të gjelbër, në mënyrë të qëndrueshme, flasim tani për skijim, bujqësi organike, për shëtitje apo turizëm ndërkombëtar. Këto janë pikat kryesore dhe njëkohësisht të kujdesemi se çfarë bëjmë ne me Malin Sharr, të mos harrojmë se Mali Sharr është trashëgimi natyrore që do ta kemi ne dhe nesër fëmijët tanë do ta trashëgojnë këtë. Ideja e kësaj është se, kur do të shpallet ligji, të krijojmë një rregulativë se si do të zhvillohet vendi, zhvillimi të jetë i organizuar dhe i drejtë sipas ligjit. Komentet e tuaja janë shumë të rëndësishme, ky është propozimi ynë, propozimi nga ekspertët edhe studimi socio-ekonomik. Mendimet tuaja do të merren parasysh, që të mos ketë ndikime negative por përkrahje. Normalisht, ju lutem të gjithëve mendimet që i jepni të jenë konstruktive, që të kemi mundësi të bëjmë një përparim këtu”, përfundoi ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini.

Debati u moderua nga Doc. Dr. Besnik Rexhepi, ndërkaq mori pjesë edhe eksperti i njohur dhe përgjegjësi i Institutit Ekologjik dhe Teknologjik i UT-së Prof. Dr. Vlladimir Kërpaç. Propozim-ligji është publikuar në Regjistrin kombëtar të unifikuar elektronik të rregulloreve në Republikën e Maqedonisë së Veriut (www.ener.gov.mk) dhe në ueb faqen e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (www.moepp.gov.mk), për dorëzimin e komenteve, vërejtjeve dhe konsultime me palët e interesuara. Komentet, mendimet, sugjerimet mund të dorëzohen jo më vonë se 10 ditë nga mbajtja e debatit publik, gjegjësisht deri më 15 nëntor 2020 në: [email protected], përmes postës.
Ky debat u përmbyll me një bashkëbisedim mes pjesëmarrësve, duke iu përgjigjur pyetjeve të parashtruara, që do të ndihmonin në zgjedhjen më të mirë për shpalljen Park Kombëtar të Malit Sharr.
Zyra për informim -UT