Universiteti i Tetovës me aktivitete të ndryshme i bashkohet fushatës së ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit


Parlamenti Studentor i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë i Universitetit të Tetovës e filloi fushatën e sensibilizimit për muajin tetor, që botërisht njihet si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.
Nisur nga kjo, sot studentët e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, në qendrën e qytetit të Tetovës, kanë shpërndarë materiale informuese mbi kujdesin që duhet kushtuar kancerit të gjirit. Qytetarët që i kanë vizituar tendat e Parlamentit Studentor të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë kanë pasur mundësi që për së afërmi të njihen me këtë sëmundje, simptomat, trajtimin që duhet bërë, mamografinë, diagnostikimin e shumë informacione të tjera.

Përmes këtij aktiviteti, studentët përcollën mesazhin se kur e ngremë zërin së bashku, ne ndihmojmë në përhapjen e fjalës për rëndësinë e shqyrtimit dhe mbështetjes për trajtimin e kancerit të gjirit. Studentët apeluan te qytetarët që të bashkohen me ta për të përfshirë edhe më shumë njerëz gjatë muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.

Fushatës për ndërgjegjësimin në lidhje me kancerin e gjirit iu bashkëngjitën edhe Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, dekani i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, Prof. Dr. Nevzat Elezi, kryetarja e Parlamentit Studentor, Eliesa Zhaku dhe Ladon Murseli, kryetari i Parlamentit Studentor të FSHM-së.