Universiteti i Tetovës e shënoi Ditën Botërore të Ushqimit

Universiteti i Tetovës, përmes Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit edhe këtë vit e shënoi 16 Tetorin – Ditën Botërore të Ushqimit. Ky fakultet, në bashkëpunim me fondacionin Albiz, me këtë rast kanë bërë shpërndarjen e disa pakove ushqimore për familjet në nevojë.

Për shkak të pandemisë globale Covid-19, Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit për këtë vit i ka reduktuar aktivitetet për shënimin e kësaj dite.
Dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, Prof. Dr. Xhezahir Idrizi tha se shënimi i kësaj dite ka për qëllim sensibilizimin e opinionit mbi rëndësinë e ushqimit dhe rolin e tij në shëndetin e individit. Ai, po ashtu shprehu falënderime për fondacionin Albiz, i cili tanimë vite me radhë është mbështetës i shumë familjeve në nevojë. Po ashtu, ai apeloi te qytetarët që të jenë sa më të kujdesshëm dhe të mos e keqpërdorin ushqimin. Sipas tij, sot në botë, por edhe në vendin tonë, ka shumë familje të cilat përballen me mungesë të ushqimit, por ka edhe shumë familjeve të cilat kanë tepricë ushqimi.

Dita Botërore e Ushqimit ka filluar të shënohet që nga viti 1981, për çdo vit, kurse zanafillën e ka në vitin 1945, kur në qytetin Kebek të Kanadasë bashkohen disa shtete dhe e formojnë agjencinë, apo Organizatën Botërore të Ushqimit (OBSH).