Unioni i Dijetarëve Islamë e ndalon dhe e quan tradhti normalizimin me Izraelin

Unioni Ndërkombëtar i Dijetarëve Islamë (IUMS) të dielën e ndaloi çfarëdo normalizimi të raporteve me autoritetet e Izraelit. Përmes një deklarate, sekretari i përgjithshëm i këtij unioni, Ali al-Qaradaghi, tha se normalizimi i marrëdhënieve me Izraelin e trimëron këtë shtet që ta vazhdojë okupimin e tokave palestineze, që ka zgjatur me dekada.

“Normalizimi me okupuesit e Xhamisë Al-Aësa dhe Jerusalemit është i ndaluar dhe vlerësohet si tradhti”, tha ai, shkruan Anadolu.

Të premten, Izraeli dhe Bahrejni njoftuan se kanë arritur marrëveshje për normalizimin e raporteve, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara. Një hap të tillë me Izraelin e bënë muajin e kaluar edhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Këto marrëveshje janë kundërshtuar nga palestinezët dhe nga Irani, por janë mirëpritur nga Omani, që nuk e ka bërë të ditur pozicionin e vet sa i përket të ardhmes së marrëdhënieve me Izraelin.