Katërvjeçarja Umejra i ra ziles në Klinikën e fëmijëve. E ky tingull simbolizon sfidën e fituar me kancerin.Në shenjë falënderimi qerasi me ëmbëlsira personelin mjekësor të cilët plotë nëntë muaj u kujdesën për të.Para Klinikës pa durim prisnin ta përqafonin babai, vëllezërit dhe familjarët e tjerë. Por më së shumti malli e kishte marrë motrën e saj binjake Unejsa. “Mamin po e pres edhe Umejrën. Çfarë e ki Umjerën? Loçk”. Pas gjysmë orë doli Umejra. U prit me duartrokitje, lot e përqafime.Më së shumti u gëzua motra e saj binjake.
Të gjithë bënë foto me të.“Sa vjet i ke? Katër. Ku do të shkosh? Në shtëpi. A je e lumtur? Po çfarë ke qejf të bësh në shtëpi? Do të luaj me lodra”, tha Umejra. Simbolikisht i lëshuan balonat për t’i thënë lamtumirë sëmundjes.Nëna e saj Nesrin Iseni thotë që lufta me sëmundjen ka qenë e vështirë por ajo me ndihmën e të gjithë familjarëve dhe personelit mjekësor nuk u dorëzua.
“Umejra ishte 2 muaj para se t’i mbushte 4 vjeç kur u diagnostikua me këtë sëmundje leukemi akute. Kjo ndodhi me 17 janar të këtij viti. Momenti kur na e kumtuan mjekët këtë për mua ishte shumë rëndë për mua si nën dhe gjithë familjes. Fal zotit deri tash ka shkuar gjithçka mirë”.U bën thirrje të gjithë prindërve të luftojnë dhe të kenë durim. “Të gjitha ata që kanë fëmijët e sëmurë prej kësaj sëmundje duhet të kenë kurajë dhe të kenë shumë durim”. Umejra do të vazhdojë edhe për një kohë të marrë terapinë e duhur dhe të bëj kontrollet që nevojiten. E buzëqeshur dhe e lumtur u largua nga spitali. Mezi priste të shkoj në shtëpi me familjen e saj për të lozur me motrën dhe vëllezërit e saj.