Kanë mbetur vetëm edhe pak orë nga “ultimatumi” 48 orësh që lideri i Aleancës për Shqiptarët ua dha Lëvizjes Besa dhe Alternativës që të vendosin nëse janë ose jo për koalicion.
Për “ultimatumin” e Selës kontaktuam me Orhan Murtezanin nga Alternativa. Ai tha se janë të gatshëm për një koalicion, i cili sipas tij, e kthen shpresën e ndryshimit edhe në Maqedoni.
“Pra për ta përmbushur kërkesën dhe pritjen e qytetarëve, ne kemi zhvilluar bisedime për arritjen e një koalicioni me Aleancën për Shqiptarët dhe ato bisedime vazhdojnë. Shpresojmë për një lajm të mirë. Ndërkohë, ritheksojmë se Alternativa nuk i ka dhëne vetes as atribute përjashtuese e kushtëzuese, por as atribute përfshirëse, por vetëm ka vepruar sipas asaj që ajo gjykon se është më e drejtë dhe me më shumë interes për shqiptarët në Maqedoni”, tha zëdhënësi i Alternativës, Murtezani.
Ai shtoi se Alternativa nuk mendon se koalicionet janë temë e aritmetikës, sipas tij, ato janë lëndë e mirëbesimit, parimeve dhe programeve politike, që mund të konvergjojnë në bashkëpunim. Në fund Murtezani tha se janë fort të bindur se më 12 prill edhe tek ne vjen era pranverore e ndryshimit.(INA)