“Ultimatumi” i Selës, analistët: Partitë duhet ta tejkalojnë vetveten, interesat e qytetarëve parësore

Pasditën e sotme kalon “ultimatum” që e dha kreu i ASHsë, Zijadin Sela për koalicionin trepalësh.

Për njohësit e rrethanave politike në vend, lideri I ASH-së, Zijadin Sela nëpërmes “ultimatumit”, në mënyrë indirekte përcjell mesazh deri tek dy strukturat për ti tejkaluar dallimet, ndoshta edhe për ta tejkaluar vetveten, me qëllim të unifikimit.

Analisti, Xhelal Neziri thotë për INA se është mirë që koalicioni trepalësh të arrihet. Ai thotë se nëse nuk bashkohen partitë vënë interesin e tyre para interesit të qytetarëve.

“Do të ishte mirë që të arrihet ky koalicion. Fundja nuk bashkohen privatisht, por për një qëllim të përbashkët që duhet të ketë lidhje me interesin e përgjithshëm. Përderisa nuk bashkohen do të thotë se e vënë interesin klanor e inatet personale mbi qëllimin e përbashkët. Nëse edhe kësaj radhe nuk bashkohen, atëherë do ta kenë të vështirë t’i fitojnë zgjedhjet dhe me këtë do të përfundojnë rrugëtimin politik”, tha Neziri.

Politikologu, Deniz Memedi nga ana tjetër thotë se e gjithë kjo vjen si rezultat i reagimit të qytetarëve.

“Në rast se përsëritet historia e zgjedhjeve të vitit 2016 ku u bë çmos vetëm të mos bëhet koalicion atëherë fajtor i mos ndryshimit të skenës politike nuk do të jetë suksesi i partisë më të madhe në pushtet por do të jetë dështimi dhe shkurtpamësia e bllokut opozitar shqiptar. Deklaratat më të fundit nga Besa dhe Alternativa flasin se nuk ka lëvizje nga pozicionet. Përfaqësuesit e Besës janë për një bllok tripalësh ndërsa Alternativa kategorikisht e mohon këtë gjë. Derisa mbeten këto pozicione duket se nuk do të ketë edhe formulë suksesi për zgjedhjet e 12 Prillit”, deklaroi Memedi.

Ndryshe, ofertën e Selës e kanë komentuar të dy partitë, Alternativa vazhdon të këmbëngulë se koalicion fitues do të ishte vetëm ai mes Alternativës dhe Aleancës, pa Lëvizjen Besa. Sekretari general i Alternativës, Skender Rexhepi tha se Alternativa vazhdon ta ushqej edhe më tej koalicionin me ASH-në I cili sipas tij, do të jetë ndryshimi I 12 prillit.

E nga Lëvzija Besa thonë se oferta e Selës është e pakuptueshme sepse pohojnë se për koalicion trepalësh ata janë deklaruar muaj më parë. Nga atje shprehen të gatshëm për takim dhe për marrveshje trepalëshe. Thonë se ka tashmë një muaj që nuk janë takuar me strukturat e ASH-së, për të biseduar temën e koalicionit.INA