Ulet numri i të diagonstikuarve të ri me Kovid-19 në vend

 Numri i të diagnostikuarve të ri me koronavirus në vend shënon ulje. Dje u regjistruan 87 raste të reja, pardje 127, ndërsa një ditë më parë 111 raste.

Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me Kovid-19 në vendin tonë që nga fillimi i epidemisë është 3.239, numri i pacientëve të shëruar është 1.658, numri i vdekjeve është 157, ndërsa aktualisht numri i rasteve aktive në vend arrin 1.424.

Numri më i madh i të sëmurëve 1.332 pacientë janë diagnostikuar në Shkup, ndërsa numri i rasteve aktive është 760, pasuar nga Kumanova me 568 raste të diagnostikuara dhe 139 aktive, Tetova me 301 të diagnostikuara dhe 135 raste aktive, Prilepi me 218 të diagnostikuar dhe 25 raste aktive, Shtipi me 223 të diagnostikuar dhe 185 raste aktive …

Përfshirë me të dhënat e djeshme raste aktive në Shkup dhe rrethinë ka në: Çair – 192, Qendër – 66, Butel – 68, Gazi Babë- 63, Aerodrom – 61, Saraj – 55, Karposh – 57, Kisela Vodë – 37, Haraçinë – 23 , Studeniçanë- 20, Ilinden – 18, Gjorçe Petrov – 23, Shuto Orizarë – 21, Petrovec – 6, Çucer Sandevë – 3, Sopishtë- 2 dhe dy shtetas të huaj.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe apeloi që të respektohen masat të cilat mbrojnë nga koronavirusi dhe gjatë çdo dalje jashtë detyrimisht t’u përmbahemi masave për mbrojtje personale.

“Të mbajmë distancë prej dy metrave në hapësira të mbyllura dhe të hapura publike, asnjëherë të mos grupohemi më shumë se dy persona, detyrimisht të mbajmë maskë, shami, shall në hapësira të mbyllura, pajisje mbrojtëse mbahet edhe jashtë atëherë kur nuk mund ta mbajmë distancën e nevojshme prej dy metrave”, ka shënuar Filipçe në profilin e tij në Fejsbuk.

Drejtori i Qendrës për Shëndet Publik – Shkup, Arben Ziberi tha se 60 për qind e numrit të përgjithshëm të rasteve aktive në qytet janë asimptomatike, e cila, siç tha ai, është shumë e rëndësishme dhe për këtë arsye të gjithë duhet të jemi të kujdesshëm.

“Ditët e fundit kemi shumë raste të tilla, të cilat janë asimptomatike dhe që mund ta përhapin më lehtë sëmundjen. T’i respektomë masat, për të mbajtur distancën fizike, të mos grupohemi dhe të mbajmë maska ​​mbrojtëse”, tha Dr. Ziberi.