Ulen rastet e reja me Covid-19 në Itali, ja deri kur zgjaten kufizimet (VIDEO)

Për ta shpallur të fituar luftën ndaj koronavirusit, në Itali do të duhen ende disa javë. Qeveria njoftoi të hënën se izolimi do të zgjasë të paktën deri për Pashkë, e më pas nëse numri i të sëmurëve do të vazhdojë të bie, do të vlerësohet një rihapje të mundshme graduale.

Megjithatë, para majit nuk do të lejohen shëtitjet e as nuk do të hapen bare e restorante. Mes të parave që do të rifillojnë punën do të jenë disa sipërmarrje që kanë lidhje me sektorin ushqimor dhe farmaceutik e qe nuk janë përfshirë mes shërbimeve të domosdoshme. Drita jeshile do t’u jepet fillimisht atyre që nuk kanë kontakte të shumta me klientët, si artizanët apo ata që merren me riparime. Estetistët, parukierët dhe palestrat do të duhet të presin pak më shumë.

40 ditë që prej shpërthimit të pandemisë, Italia ka tejkaluar 100 mijë të prekurit ndërsa viktimat janë 11591, 812 prej të cilëve në 24 orët e fundit. Megjithatë, numri i rasteve të reja ishte vetëm 1648, shifra më e ulët kjo në disa javë. Shpresëdhënës është edhe numri i lartë i personave të shëruar, mbi 14600, gati 1600 më shumëse një ditë më herët. Vijon të ulët edhe kurba e rasteve të reja në Lombardi, edhe pse mbetet i lartë numri i viktimave.