Ukrainë: Mbi 1,200 civilë të vrarë ose të plagosur


Mbi 1,200 civilë janë vrarë ose plagosur qëkur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, thanë të martën Kombet e Bashkuara.

Ky numër, sipas tyre, përfshin 406 njerëz të vrarë dhe 801 të plagosur.

Megjithatë, zëdhënësja e Komisionarit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Liz Throssell, paralajmëroi se shifrat “mund të jenë shumë më të larta”.

Shumica e lëndimeve janë rezultat i “sulmeve ajrore dhe i të shtënave me armë”, tha OKB-ja.

Raportohet se një gazetar është vrarë.

OKB-ja shprehu gjithashtu shqetësim për, siç tha, “ndalimin arbitrar” të mbështetësve pro-ukrainas në zonat që kontrollohen nga ushtria ruse, si dhe për “dhunën” kundër atyre që konsiderohen si pro-rusë në territoret e kontrolluara nga Qeveria ukrainase.

Për lajme në kohë reale nga lufta në Ukrainë, na përcillni në këtë blog.
Më herët, Komisionari i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, Filippo Grandi, tha se numri i njerëzve të zhvendosur nga lufta në Ukrainë, ka kaluar dy milionë.

Refugjatët arritën këtë shifër vetëm në ditën e 13-të luftës.

Grandi tha se për krahasim, luftërat ballkanike në Bosnje dhe Kosovë kanë shkaktuar dy-tre milionë të zhvendosur, por “në një periudhë prej tetë vjetësh”.

Numri më i madh i refugjatëve ukrainas ka hyrë në Poloni: mbi 1.2 milion.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, pasi nuk ka marrë garanci nga NATO-ja se nuk do të zgjerohet më drejt lindjes.