Ukraina sulmon portet e Rusisë


Pas sulmit të sotëm ukrainas në një traget plot me karburant në portin rus të Kavkaz, në rajonin jugor të Krasnodor, ka shpërthyer një zjarr, njoftuan autoritetet lokale.

Aktualisht po vlerësohet përmasat e zjarrit dhe po përcaktohet nëse ka të lënduar. Disa media ruse kanë publikuar pamjet dhe fotot nga vendi i ngjarjes që tregojnë flakë dhe tym të dendur që ngrihen nga porti.

Presidenti rus, Vladimir Putin akuzoi sot Ukrainën se po përpiqet që të sulmojë termocentralin bërthamor rus në Kursk.

Alexey Smirnov, ushtrues detyre i guvernatorit të Kurskut, njoftoi se termocentrali bërthamor RBMK-1000 me katër reaktorë sovjetikë është “i qëndrueshëm”.

Ukraina shkeli kufirin rus në rajonin e Kurskut më 6 gusht në një përpjekje për të detyruar Moskën të largonte trupat nga frontet e tjera, megjithëse forcat ruse kanë vazhduar të përparojnë në Ukrainën lindore ditët e fundit.

Ndryshe, luftime të ashpra janë zhvilluar 30 kilometra larg termocentralit bërthamor. Forcat ruse po përpiqen të dëbojnë ushtarët ukrainas nga territori i tyre, të cilët po përpiqen të konsolidojnë situatën në terren dhe të zgjerojnë territorin e pushtuar.