Ukraina: Jemi të gatshëm të hyjmë në BE dhe NATO në vend të Hungarisë

Ukraina është e gatshme të plotësojë “çdo vend të zbrazët” në Bashkimin Evropian (BE) dhe NATO, nëse Hungaria vendos të tërhiqet nga këto organizata për t’iu bashkuar blloqeve të udhëhequra nga Rusia, deklaroi sot Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës.

“Ukraina do të ishte e gatshme të plotësonte vendin e zbrazët në BE dhe NATO nëse Hungaria vendos të largohet në favor të anëtarësimit në Komunitetin Euroaziatik të Shteteve të Pavarura ose në Organizatën e Traktatit të Sigurisë Kolektive,” thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Ukrainës.

Duke komentuar deklaratën e ministrit të Jashtëm hungarez Péter Szijjártó, i cili tha se vendimi i Ukrainës për të ndërprerë transitin e gazit rus përmes territorit të saj ka rritur çmimet, Ministria e Jashtme e Ukrainës tha se këto deklarata janë pjesë e një “fushate të motivuar politikisht për konsum të brendshëm.” Ajo kujtoi se Komisioni Evropian kishte deklaruar se vendimi nuk ka ndikim negativ në sigurinë energjetike të BE-së ose në çmimet për konsumatorët.

“Shkaku i vetëm i sfidave në tregun energjetik evropian gjithmonë ka qenë Rusia,” thuhet në deklaratë.

Më 1 janar përfundoi marrëveshja pesëvjeçare midis Moskës dhe Kievit për tranzitin e gazit rus përmes Ukrainës, pas së cilës Ukraina refuzoi ta rinovojë marrëveshjen “në interes të sigurisë kombëtare”.

BE-ja filloi negociatat për anëtarësim me Ukrainën në dhjetor 2023. Kievi dorëzoi kërkesën për anëtarësim në NATO në shtator 2022, disa muaj pas nisjes së “operacionit special ushtarak” të Rusisë në Ukrainë.