Burokracia evropiane dhe stërzgjatja e procesit të integrimit euro-atlantik për vendet aspirante krijon terren të përshtatshëm dhe u jep kohë palëve të treta që të shtrijnë ndikimin e tyre.
Bashkimi Evropian dhe NATO duhet të nxerrin mësime nga rasti me Ukrainën, e cila është deklaruar pro integrimin para një dekade dhe sot është nën agresionin rus, thotë analisti politik Ismet Ramadani.
“Ukraina po të kishte ec pak më shpejtë drejt BE-së dhe NATO-s, meqë qysh në 2008-të ka shprehur aspiratë, do të kishim një situatë krejt tjetër sepse një shtet i NATO-s nuk mund të sulmohet. Edhe kjo Rusi e Putinit ose ky Putin i Rusisë nuk do ta kishte marrë guximin që të sulmonte një Ukrainë aq të madhe dhe anëtare e NATO-s. Ajo nuk ka marrë guximin të sulmon ato tre shtete të vogla të Baltikut vetëm pse janë anëtare të NATO-s.” – tha analisti politik, Ismet Ramadani.
Ramadani: Perëndimi të pengojë triumfin e Putinit
Gjithsesi lufta në Ukrainë është realitet dhe tani e rëndësishme mbetet se si do të përfundojë ajo. Bashkësia ndërkombëtare nuk guxon të lejojë që Rusia të triumfojë në këtë agresion, thotë Ramadani.
“Besoj, në bazë të reaksione që po ndodhin në botën progressive, duke filluar nga SHBA-të, vendet e BE-së dhe të NATO-s se nuk do ta lejojnë Putinin të ndihet si triumfues sepse atëherë do të jetë rrezik edhe për shtetet e tjera të BE-së por, rreziku më i madh do të koncentrohet në Ballkanin Perëndimor sepse, ajo edhe ashtu, e ka satelitin e vet pra Sërbinë, sidomos Republika Sërbska.” – u shpreh Ramadani.
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor vetëm Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina, përkundër përcaktimit euroatlantik, ende nuk janë anëtare të NATO-s, ndërkaq Sërbia është deklaruar kundër anëtarësimit në Aleancë.
Sakaq, jashtë BE-së janë gjashtë shtete të rajonit edhepse procesin e integrimit në BE e kanë filluar të gjitha, por janë në stadiume të ndryshme të këtij rrugëtimi. ( TVM2)