Ujësjellësi me donacione nga mërgimtarët

Për herë të parë, pushteti vendor në Dibër ka hapur xhirollogarinë për donacione, në lidhje me realizimin e projekteve komunale. Kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, ka informuar se pas takimeve që ka patur me mërgatën dibrane në SHBA, kohë më parë, ka prezantuar aktivitetet e Komunës Dibër dhe projektet që realizohen në Dibër dhe fshatrat e saj. Në takime, siç informon Duka, mërgimtarët kanë shprehur gatishmëri që të kontribuojnë edhe financiarisht në mbështetje të projekteve prioritare për komunën.

Interesimi ka qenë i madh dhe komuna Dibër, siç tregon Duka, ka hapur edhe një llogari bankare për donacione që hapet për herë të parë në Buxhetin e Komunës Dibër.Këtu do të grumbullohen mjetet kryesisht devizore me qëllim që të realizohen projektet prioritare të Dibrës. Llogaria e veçantë për donacione do të ketë një transparencë maksimale, me qëllim që popullata të jetë në kohë e informuar për donacionet që vijnë në Dibër”, thotë Duka.

Biznesmeni i njohur dibran, Abib Sela, në tubimin e mërgimtarëve që u mbajt në Amerikë me delegacionin e Komunës Dibër, është një ndër ata i cili ka premtuar donacion. Këto ditë në llogarinë e donacioneve pikërisht Sela ka transferuar 20 mijë dollarë edhe atë të dedikuar për fazën e parë të projektit për ujin e pijshëm në Dibër. Kryetari Hekuran Duka thekson se ky është donatori i parë pas takimeve me mërgatën dhe shton se këto mjete do të shfrytëzohen për fazën e parë të projektit për furnizimin e Dibrës me ujë të pijshëm. Projekti në fjalë, siç tregon Duka, do të kushtojë rreth 200 mijë euro për çka priten edhe donacione të tjera.

Aktualisht, për Dibrën problemi kryesor është furnizimi me ujë për pije. Gjatë verës, edhe pse Dibra furnizohet me ujë nga ujësjellësi Rosok-Dibër, për çdo verë ka restrikcione të ujit dhe pushteti vendor tani më disa vite me rrallë tenton të gjejë rrugëdalje për tejkalimin e këtij problemi akut. Rrugëdalja shihet në realizimin e projektit kapital për një furnizim të rregullt me ujë. Për këtë qëllim, Komuna Dibër së bashku me ndërmarrjen komunale publike “Standardi” dhe me ekspertë të ndryshëm ka ndërmarr aktivitete për realizimin e fazës të parë të projektit për furnizim të rregullt të Dibrës me ujë.

Përveç burimeve të ndryshme financiare vendore, Komuna pret që edhe mërgata dibrane në SHBA dhe Europë të jep kontributin e saj në grumbullimin e mjeteve të nevojshme. Ndryshe, ujësjellësi Rosok-Dibër, i cili është ndërtuar para 33 viteve – kërkon normalisht një sanim edhe atë duke filluar nga burimet që janë larg Dibrës 22 kilometra, te pusetat, por edhe aktivitete të tjera që kanë të bëjnë me rezervuarin dhe rrjetin e ujit në qytet.