Ujërat e zeza vërshojnë depon në Shutkë

Festës së Bajramit nuk është se iu gëzua familja Muça nga Shkupi. Kjo pasi të gjithë fundjavën mbetën duke pastruar depon e mallrave të përmbytur nga ujërat e zeza. Shkak u bë nxënia e tubit të kanalizimit mu tek objekti i tyre në Shuto Orizarë. Pronari i dyqanit thotë se kjo situatë prej disa ditësh u ka shkaktuar mijëra euro dëme. Islam Muça mundohet ta bëjë punën që sipas tij nuk erdhën me kohë ta bëjnë punonjësit kujdestarë komunal.

“Dëm i madh më është bërë dhe fajin e kanë ata, të cilët prej 4-5 ditësh i thërras. Gati një javë u bë që iu telefonoj por herë lajmërohen e herë jo. Por, na thonë se në kanal banorët po hedhin gjëra që bllokojnë tubacionin, me këtë arsyetim mbrohen.”-tha Islam Muça, Afarist.

Përgjigje zyrtare nuk morëm as nga NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” i Qytetit të Shkupit. Sipas qendrës për kontakt me konsumatorët, Islamit i kanë thënë se në terren do të dalin gjatë ditëve të punës për të detektuar me sensorë se cila nga nyjet e sistemit të kanalizimit është bllokuar. Sipas banorëve, nxënie të tubave në këtë zonë ndodhin shpesh nga mos kujdesi i qytetarëve, duke hedhur mbeturina të ndryshme inerte në gypat e kanalizimit./Adnan Qaili