Me qëllim sensibilizimin e opinionit të gjerë për rëndësinë e regjistrimit të popullsisë, në UEJL u mbajt debat në të cilin u shpjeguan aspektet juridike të Ligjit për regjistrim. Rektori i UEJL-së Abylmenaf Bexheti tha se ky proces është i rëndësishëm dhe se ka peshë politike dhe juridike për vendin. Ai tha se ligji aktual në krahasim me atë të para dhjetë viteve, është më i qartë dhe pa dilema mbi çështjen e kategorive që regjistrohen. Për profesorin Jeton Shasivari, ligji aktual nuk bën dallim mes popullsisë rezidente dhe jo rezidente
“Ka dy tre momente që dallojnë tani nga para dhjetë vitesh. Në 2011 Ligji ishte me dy kuptime sidomos sa i përket kategorisë kryesore, në fakt statusit të regjistrimit të qytetarëve tanë me punë të përkohshme në botën e jashtme, dhe i lihej çështjes së interpretimit. Përderisa pala shqiptare thoshte do i regjistrojmë, pala tjetër herë thoshte po e herë jo. Pra kjo dykuptimësia e ligjit ishte e keqe, momenti i dytë që dua ta nënvizoj për atë kohë ishte edhe mekanizmi shumë i madh i mosbesimit. Tani në fakt Ligji është shumë i qartë sa i përket regjistrimit të bashkatdhetarëve tanë në botën e jashtme dhe në aspektin e mosbesimit, ekziston një mekanizëm i quajtur nënshkrimi i lidhur me të cilin së paku në disa aspekte mund të mbrohen”, tha Abdylmenaf Bexheti, Rektor i UEJL-së.
“Edhe dallimi kryesor është se Ligji aktual në fuqi nuk bën dallim mes popullsisë rezidente dhe jo rezidente në kuptimin e popullsisë së gjithëmbarshme, domethënë cakton çka përfshihet në popullsinë rezidente çka në atë jo rezidente mirëpo në fund, metodologjia e regjistrimit, në mënyrë të qartë se të dy kategoritë bëjnë pjesë në popullsinë e gjithëmbarshme të shtetit”, theksoi Jeton Shasivari, profesor.