UEFA vendos për zhvendosjen e finales së Ligës së Kampionëve nga Stambolli në Londër

UEFA do të vendosë deri të mërkurën më së largu për zhvendosjen e finales së Ligës së Kampionëve në Wembley nga Stambolli, për shkak të kufizimeve të udhëtimit si pasojë e koronavirusit.
Shtëpia e futbollit evropian do të takohet sot me zyrtarët e qeverisë britanike dhe Federatës së Futbollit të Anglisë për të biseduar rreth mundësive për zhvendosjen e finales në Londër.
Në finalen e Ligës së Kampionëve përballen dy klube angleze, Chelsea kundër Manchester City, më 29 maj.

Por tifozëve u është bërë me dije se nuk do të lejohen të udhëtojnë drejt Stambollit, sepse Turqia është në listën e kuqe të udhëtimit të Anglisë.
Qytetarëve britanikë që kthehen nga vendet në listën e kuqe iu kërkohet të futen në karantinë në hotele të aprovuara nga qeveria britanike për 10 ditë.

Një karantinë e tillë do të kishte ndikim në lojtarët e përfshirë në Euro 2020, që fillon më 11 qershor.
Pas diskutimeve të sotme me zyrtarët britanikë, UEFA do të vendosë deri të mërkurën nëse do ta lejojë zhvillimin e finales në stadiumin e Wembley në Londër.