Udhëtimi i Krasniqit, nga repisti rival i Unikkatilit te politikani opozitar i Kurtit

“Ti s’je ritmi i rrugës, unë jam ritmi i rrugës”, thoshte Unikkatili në fushatën e tij për ta vendosur veten si reperin mbizotërues në Kosovë.
E ndiente të nevojshme që t’i hiqte rivalët nga rruga e tij.
Një gjë mund të thuhet: kush e shante Unikkatilin i pari, mëtonte famën e tij – kë e shante Unikkatili i pari, në mënyrë indirekte ai e njihte peshën e tyre në skenën e repit kosovar, dhe ndiente se duhej t’i largonte nga rruga.

Ndër ta, edhe Ritmin e Rrugës; ndonëse në kohën kur Unikkatili e kishte lansuar këtë sulm, kjo dyshe repi kishte pushuar së qeni aktiv në muzikë. Por Ritmi i Rrugës që përbëhej nga dy djem të edukuar e shkolluar por që për personazhe skenike kishin marrë rolin e dy “gangsterëve” që qenë rexhur nga përvojat e rrugës, tashmë kishin lënë shenjë me këngët e tyre e sidomos me tashmë klasiken “Ushtari i rrugës”, njëfarë ekuivalenti shqiptar i “Parajsa e gangsterëve” të Coolio-s.

Shokët e Krasniqit në estradë e vazhduan zejen e repit, madje duke u pasuruar nga ky zhanër që dikur mezi përvidhej në programet argëtuese në vend. Mirëpo jo edhe Krasniqi. Karriera e tij muzikore iku bashkë me bishtalecin e tij që e spikaste në mesin e artistëve të tjerë.
Ai fillimisht u angazhua në forumin rinor të Partisë Demokratike të Kosovës, e më vonë shërbeu si zëdhënës i Partisë Demokratike të Kosovës.
Ndërkohë, Krasniqi gjatë kohës kur po bënte muzikë ishte po aq i angazhuar për t’u formuar akademikisht dhe intelektualisht sa për t’u ngritur në hierarkinë e partisë por edhe të skenës politike në Kosovë.

Krasniqi kishte punuar edhe gjatë kohës së lu*ftës dhe në periudhën e hershme të paslu*ftës si gazetar në Associated Press.
Pasi u bë baçelor i Shkencave Politike dhe Administratës Publike në Universitetin e Prishtinës, ai më vonë magjistroi në universitetin prestigjioz, në Shkollën Londineze të Ekonomisë dhe Shkencave Politike.

I biri i Milazim Krasniqit,
obashkëthemeluesit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, tash është rrugës për t’u bërë kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës. Njëri krah i djathtë i atij që njihet si ati themeltar i shteti të Kosovës, Ibrahim Rugovës, e tjetri pasues në parti i njeriut që kumtoi Pavarësinë e Kosovës, Hashim Thaçit.

Nëse është diçka që përbashkon reperët dhe politikanët janë fjalët – shumësia e tyre, rrjedhshmëria e lidhshmëria që e kanë – aftësia për të pushtuar veshët e dëgjuesve me mënyrën se si formulohen e kumtohen ato.
Pas muzikës, ai në politikë e nisi si zëdhënës, por nuk mbeti vetëm zë. Krasniqi prodhonte mendim e merrte vendim. Prandaj, një herë u emërua Ministër i Kulturës e pastaj i Bujqësisë.

Një herë shef i grupit parlamentar të PDK-së e pastaj edhe nënkryetar i Kuvendit të Kosovës. Gjashtë herë u zgjodh deputet.
Babai i tij Milazim Krasniqi ishte bashkëthemelues i Lidhjes Demokratike të Kosovës, por i biri ndoqi një shteg tjetër.
Ai u përkujdes të bëhej një nga figurat markante të gjeneratës së dytë të Partisë Demokratike e që sot kur dy ish-kryetarët e kësaj partie ndodhen në Hagë, Krasniqi është ai që po bëhet kryetar nga ajo gjeneratë e re që ish-liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e afruan ngat vetes kur krijuan këtë subjekt politik.

Si rrepist, Krasniqi ishte një prej figurave që vendosën themelet e këtij zhanri në vend, që sot pos botës e dominon edhe Kosovën.
Personazhi skenik i tij na shfaqej si streetsmart, por gjatë gjithë asaj kohe Krasniqi në të vërtetë ishte njëri prej booksmart-ëve të rinj të Partisë Demokratike të Kosovës.
Si politikan, ai ka pasur një prezencë të painjorueshme falë edhe pozitave që ia kanë besuar ish-liderët e PDK-së, parti kjo që ishte në pozitë për dymbëdhjetë vjet. Teksa sot, duket se e gjithë partia ia ka dhënë besimin për frerët e kësaj partie që po kalon nëpër një periudhë të vështirë kur Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli po gjykohen në Hagë.

Ritmi i rrugëtimit të Krasniqit në politikë ka qenë i vetë-diktuar me delikatesë dhe me konkretësi. Në sytë e publikut ka qenë i befasishëm – u desh një kohë që publiku të ambientohej me Krasniqin politikan, dhe jo me Krasniqin yll muzike.
Edhe si repist, edhe si politikan, Krasniqi ka dëshmuar që nuk e shmang konfrontimin me rivalët. Se a del fitues, ajo varet. Në zgjedhjet e PDK-së rival nuk duket se ka.

Por, tash ka punë me rivalët nga partitë tjera, e sidomos me atë të Lëvizjes Vetëvendosje që njëherësh udhëheq edhe me Kosovën – Albin Kurtin.
Unikkatilit i duhej ta sfidonte Krasniqin në muzikë si trashëgimi dhe ndikim. Por ballë Kurtit, është tash Krasniqi ai që duhet, tash në cilësi liderësh, ta sfidojë si opozitë Kurtin.