“Jetojmë në kushte të vështira ekonomike, pa përkrahje dhe s’kemi mundësi të sjellim në Shqipëri trupin e pajetë të djalit tonë, ndaj lus të vënë dorën në zemër institucioneve dhe shqiptarëve të na ndihmojnë”.
Ky është apeli i përlotur i Lekë dhe Kristina Picakut, të cilët rrëfyen për ekranin e Report Tv si e morën vesh vdekjen e të birit.
“Kanë qenë dy djemtë bashkë kur ma vranë Viktorin, u vra në sy të vëllait. Kishte shkuar të punonte, ne jemi të varfër shumë, ai punonte në të zeze. U tronditëm. Dimë se u vra se mbrojti një vajzë. Ne s’kemi asnjë mundësi të sjellim këtu trupin e pajetë. Ju lutemi institucioneve e shqiptarëve të na ndihmojnë”, tha babai Lekë Picaku
Prindërit kanë rrëfyer gjithashtu detaje të pazbuluara deri më tani për lëvizjet e të birit para dhe pas ekzekutimit. Sipas tyre Viktoriani ka qenë me të vëllanë kur e vranë, ndërsa dy orë përpara se të ndodhte ngjarja ai ka komunikuar me familjarët që jetojnë në Durrës.
Familja në darkë ka komunikuar me djalin tjetër dhe aty ka mësuar të vërtetën e dhimbshme. Lajmi i hidhur që tronditi familjen me orgjinë nga Mirdita iu erdhi ditën që kremtonin ditëlindjen e mbesës së tij.
Familja shprehet se ai ka pasur konflikte në Itali pasi ka mbrojtur një vajzë dhe agresorët nuk ia falën një gjë të tillë.