Në Kuvendin e Maqedonisë dje është verifikuar përbërja e re e Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) për të cilin janë dakorduar në takimin e liderëve. Gjithashtu janë miratuar edhe ndryshimet ligjore të ligjit për qeveri dhe ligjit për financim të partive politike, njofton Portalb.mk.
Që të tre miratimet janë arritur pa diskutim paraprak dhe në kohëzgjatje prej pesë minutash.
Si kryetar i KSHZ-së është zgjedhur Oliver Derkoski, kurse nënkryetare Ditmira Shehu.
Nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) si anëtarë janë: Radica Ristevska, Janakie Vitanovski dhe Boris Kondarko.
Nga VMRO-DPMNE-ja si anëtarë janë: Oliver Derkoski dhe Elizabeta Postollovska.
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim si pjesëtare është Ditmira Shehu.
Kurse anëtari i opozitës shqiptare i ka takuar fraksionit të Lëvizjes BESA të Bilall Kasamit, Enver Saliu.
Kjo përbërje e KSHZ-së ka mandat gjashtë mujor dhe do të obligohet vetëm për referendumin e paralajmëruar.
Me 100 vota “për” janë pranuar ndryshimet ligjore të ligjit të qeverisë për të cilën insistoi opozitarja maqedonase VMRO-DPMNE. Me ndryshimet e reja, 100 ditë para çdo zgjedhje parlamentare duhet të ketë Qeveri teknike në bazë të Marrëveshjes së Përzhinos – duke detyruar kryeministrit që të japë dorëheqje paraprakisht.
Me 101 vota “për” u miratua ndryshimi ligjor i ligjit për financim të partive politike.
Krahas kësaj pakoje ligjore, në takimin e liderëve është diskutuar edhe çështja e referendumit për marrëveshjen e emrit Maqedoni – Greqi. Referendumi në rend dite do të jetë ditën e shtunë, por kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev paralajmëroi dje se deri më 30 korrik Kuvendi i Maqedonisë duhet ta shpallë datën e mbajtjes së tij. Ai gjithashtu njoftoi se janë marrë vesh që referendumit të mbahet më 30 shtator.