Ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska sot në kazermën “Ilinden” të Shkupit ndau çmime dhe masa stimuluese për pjesëtarët e Armatës për përpjekjet dhe rezultatet e arritura në shuarjen e zjarreve në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.14 persona nga Forcat Ajrore në Komandën e Operacioneve janë shpërblyer me nga 20 mijë denarë, 274 persona nga Komanda Operative, 10 nga Batalioni i Forcave Speciale dhe 12 nga Batalioni për Zbulim me nga 10 mijë denarë.
Me nga 3 ditë të lira prej punës u shpërblyen 228 të punësuar nga Komanda Operative dhe 10 persona nga Batalioni i Forcave Speciale. Janë vlerësuar 463 persona nga Komanda e Operacioneve, 10 persona nga Batalioni i Forcave Speciale dhe 13 persona nga Batalioni i Zbulimit.Shekerinska u dha mirënjohje për sakrificën dhe guximin e tyre gjatë periudhës së zjarreve, kur shpëtuan jetë njerëzish, prona dhe pasuri natyrore.
“E di që atë që e keni bërë dhe sakrificën që e keni ndërmarrë nuk e keni bërë për para, lëvdata apo ditë pushimi, por për fjalën që do të shërbeni dhe do bëni gjithçka për të mbrojtur shtetin dhe njerëzit e saj. Askush nga ju, nuk ka menduar t’ia dorëzojë detyrimin dikujt tjetër, askush nuk ka menduar të rrijë me familjen e t’i mbyllë sytë para kërcënimit ndaj qytetarëve. Askush nga ju nuk e ndjeu dhimbjen dhe lodhjen, tymin dhe peshën e detyrës, seriozitetin e rrezikut për të hyrë në zjarr, qoftë si këmbësor apo si forcë ajrore. Nga më e keqja shpëtuat jetë njerëzore, shtëpi, manastire, objekte ushtarake. Prandaj jemi sot këtu dhe në emër të mbarë vendit t’ju urojmë gjithë të mirat dhe t’ju falënderojmë shumë”, tha ministrja Shekerinska në fjalimin e saj.