Gjatë ditës së djeshme pranë redaksisë së JOQ Albania mbërriti një video ku shiheshin disa të rinj që dhunonin me leva një burrë dhe kjo në prani të gruas së tij. Mësohet se i dhunuari është goditur pa mëshirë me leva hekuri, grushte e shkelma. Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 18:50 në zonën e njohur si Ura e Gjolës, në Bubq. Raportohet se i dhunuari është kuzhinieri shqiptar Indrit Çela.
Ky i fundit njihet si miku i Alfio Rrotanit, kuzhinier tjetër i njohur për gatimet e tij, por kohët e fundit edhe për përfshirjen në skandalin me tenderin e FSHZH të drejtuar nga Dritan Agolli. Çela nuk ka pranuar se është rrahur, ndërsa ka pohuar se ka bërë aksident me makinën e tij. Dëshmia i tij nuk i ka bindur policët të cilët thonë se plagët e marra dhe dëshmitë tregojnë se ai është rrahur. Nuk dihet ende pse Çela nuk pranon se është dhunuar, teksa policia po punon për zbardhjen e ngjarjes.