U qëllua me armë zjarri nga rusët, humb jetën operatori i Fox News në Ukrainë

Një tjetër punonjës i medias ka rënë në krye të detyrës në Ukrainë. Bëhet e ditur se Pierre Zakrzewski, operator veteran i Fox News ka ndërruar jetë pasi u sulmua të hënën nga rusët, në periferi të Kievit.

Zakrzewski nuk mundi të shpëtonte, ndërsa kolegu i tij Benjamin Hall mbeti i plagosur pasi automjeti me të cilin po udhëtonin u qëllua me armë zjarri nga rusët në Horenka, rreth 20 km në veri-perëndim të kryeqytetit.

“Pierre ishte fotograf lufte që ka mbuluar thuajse çdo ngjarje ndërkombëtare për Fox News nga Iraku në Afganistan e deri në Siri gjatë qëndrimit të tij të gjatë me ne,” shkroi në një postim në Twitter CEO e Fox News, Suzanne Scott.

“Pasioni dhe talenti i tij si gazetar ishin të pakrahasueshëm”.

Nga ana tjetër, korrespodenti britanik Benjamin Hall është ende duke marrë kujdes shëndetësor në spital pas sulmit të ndodhur ditën e djeshme. Kujtojmë se të dielën humbi jetën si pasojë e sulmeve ruse një gazetar i pavarur amerikan, Brent Renaud. /abcnews.al/