U hodh në liqen për të shpëtuar, policia kap mat 3 persona me 14 kg drogë në makinë

Policia ka zhvilluar me sukses një aksin anti-drogë në qytetin e Pogradecit. Në pranga janë vënë 3 persona, mes të cilëve edhe një vajzë.

Nga operacioni u sekuestruan 14.3 kg drogë kanabis sativa.

“Transportonin drogë me mjet, arrestohen në flagrancë 3 shtetas, njëri prej të cilëve për të shmangur kapjen nga Policia tentoi të largohej duke u hedhur në liqen.

Sekuestrohet 14 kg e 300 gr, lëndë e dyshuar narkotike kanabis,” shkruhet në njoftim.

Në vijim të punës për evidentimin, parandalimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal në drejtimin e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, falë bashkëpunimit dhe koordinimit të strukturave të lartpërmëndura është finalizuar operacioni policor i koduar “Lini”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

• A. P., 42 vjeç, banues në fshatin Qafëzez, Kolonjë (i dënuar më parë për veprën “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”).

• E. Ç., 22 vjeç, banues në Librazhd.

• E. H., 23 vjeçe, banuese në Durrës.

Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se disa persona po lëviznin në aksin rrugor Lin-Pogradec, me një mjet tip “Ford”, ku dyshohej se mund të transportonin lëndë narkotike menjëherë u organizua puna dhe në hyrje të Pogradecit u bë konstatimi i këtij mjeti me drejtuese 23-vjeçaren dhe pasagjerë dy shtetasit e tjerë.

Në momentin që Policia iu ka dhënë shenjë të ndalonin, shtetasi A. P., ka tentuar të largohej nga mjeti duke u hedhur në liqen por u kap nga shërbimet dhe u ndalua.

Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin me të cilin këta shtetas po udhëtonin, në bagazh, iu gjet një sasi prej 14 kg e 300 gr kanabis si edhe në banesën e shtetasit E. Ç., u gjet një sasi e vogël me lëndë narkotike kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.