U harxhuan miliona, por shatërvanët në qendër të Shkupit nuk punojnë!

Me fillimin e sezonit të verës, shatërvani i Aleksandrit të Madh dhe ato në sheshin Filipi i Dytë u lëshuan, mirëpo jo edhe shatërvanët që ndodhen në lumin Vardar dhe ajo në mes të sheshit.
Shatërvani i cili ishte mjaft atraktiv për qytetarët, e sidomos të vegjlit është jashtë funksionit. Në atë pjesë ku buronte ujë tani kalojnë qytetarët, por me një vëmendje të shtuar, sepse pllakat janë të lëvizshme e të dala nga vendi.

“Përveçse nuk punon fontana, kjo hapësirë është e rrezikshme dhe e pasigurtë edhe për të kaluar qytetarët, sepse siç e shihni, mungojnë disa pllaka, ndërsa të tjerat janë të përmbysura”.
Zëdhënësi i Qytetit të Shkupit Valon Salihu këto dy shatërvanë të ndërtuara në kuadër të projektit “Shkupi 2014” i quajti lodra të shtrenjta të VMRO-DPMNE-së.

“Dy fontanat që përmendët, të cilat janë pjesë e projektit “Shkupi 2014” edhe nëse mund t’i quaj janë lodra të shtrenjta të qeverisë së kaluar, me të cilat po ballafaqohemi ne tani. Pjesët e atyre fontanave janë mjaft të shtrenjta, mirëmbajtja e tyre është shumë e shtrenjtë”, tha Valon Salihu, zëdhënës i Qytetit të Shkupit.
Nuk dihet deri kur kjo hapësirë e sheshit që dikur ishte shatërvanë do të qëndrojë në këtë gjendje, ngase Salihu na le të kuptojmë se në një afat më të shkurtë kohor nuk është paraparë sanimi i shatërvanëve. Ai thotë së për shkak të situatës me pandeminë, Qyteti ka prioritete tjera.

“Për momentin kemi gjëra më të rëndësishme për të cilat do të kishim shfrytëzuar buxhetin e Qytetit të Shkupit, se sa të rregullohen këto fonatana. Sidomos ajo në lumin Vardar, jeni dëshmitar se prej kur ka ardhur qeveria e re ajo është jashtë funksionit, ka disa probleme me vetë sistemin e fontanës aty, po edhe për fontanën tjetër, e kemi rregulluar dy-tre herë dhe shumat kanë qenë shumë të larta vetëm për servisimin e saj”, pohoi Valon Salihu, zëdhënës i Qytetit të Shkupit.

Shatërvani sipërfaqësor u ndërtua gjashtë vjet më parë kur me Shkupin udhëhiqte Koce Trajanovski, si pjesë e një projekti në shesh me vlerë 2.5 milion euro.
Ndryshe, 35 milionë denarë “derdhen” në nivel vjetor nga fontanat në sheshin “Maqedonia”, sheshin “Filipi i Dytë” dhe nga shatërvanët te parku “Gruaja Luftëtare” që ndodhen në qendër të Shkupit.