“U “egërsua” Covid-19? Po vjen vala e dytë? Pse kjo çudi shqiptare?”, epidemiologu dyshime për shifrat


Mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti, ka analizuar sot situatën e COVID-19 në Shqipëri dhe ka ngritur disa pikëpyetje.

Në një postim në rrjetet sociale, mjeku shkruan se ka dyshime të mëdha që ka mungesë transparence nga qeveria për situatën e COVID-19.

Ai shkruan se mundësia më e madhe është se po infektohen me virus, njerëzit që janë shtruar në spital për sëmundje të tjera të rënda, dhe në fund raportohet se sëmundje primare ishte koronavirus, e më tej se “gjendja u rëndua për shkak të sëmundjeve bashkëshoqëruese”.

Por për Alimehmetin e vërteta qëndron ndryshe.

Në reagimin e tij epidemiologu bën një krahasim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po ashtu është rritur numri i të infektuarve, por jo i viktimave prej koronavirusit.

“ Pse kjo çudi shqiptare?
Mundësia më e madhe është se shumica dërrmuese e këtyre vdekjeve kanë ndodhur në pacientë spitalorë të shtruar me sëmundje të tjera të rënda.
Si rrjedhojë, koha ndërmjet tamponit pozitiv dhe vdekjes është më e shkurtër se sa mund të pritej pasi pacienti është në gjendje të rëndë që në fillim nga sëmundjet e mëparshme, pa lidhje me COVID-19.
Kujtoj se nuk ka asnjë komunikim zyrtar mbi numrin total të pacientëve të infektuar nëpër spitale dhe ecurinë e tyre. Të dhënat që kemi janë përmes kolegëve mjekë dhe burimeve mediatike”, shkruan ai.
Reagimi:

“Kurrë mos i beso përshtypjeve të përgjithshme, biri im, por përqendrohu mbi detajet.”
Cit. Arthur Conan Doyle
Miqtë e mi!
U bënë disa javë me raste të shtuara dhe fatkeqësisht edhe humbje jete në Shqipëri!
Çfarë po ndodh?
U “egërsua” virusi?
Po vjen vala e dytë?
Përgjigjet për të dyja pyetjet janë JO!
Le të përqendrohemi mbi disa detaje.
Të gjithë ju keni vënë dëgjuar në media, që aq shumë i ndiqni, që SHBA ka regjistruar dy ditë rresht rekorde në raste të reja!
Gjithashtu keni dëgjuar që kjo gjë ndodh për shkak të protestave të zhvilluara atje. Mendojeni vetë! Në SHBA ka 330 milionë banorë, sa mendoni ju që kanë dalë nëpër protesta? Një fraksion krejtësisht i pallogaritshëm i këtij numri.
Mirëpo në SHBA shifrat e vdekjeve janë në nivele rënie të vazhdueshme, siç mund të shihet qartësisht në grafik.
Pse po ndodh kjo? Për shumë arsye:
Janë shtuar numrat e të testuarve.
Po ekzaminohen shumë persona të rinj dhe pa sëmundje, që edhe pse dalin pozitivë nuk do të kenë asnjë problem.
Është përmirësuar protokolli i trajtimit, duke shtuar mjekime që funksionojnë me të vërtetë dhe duke hequr barna të dëmshme si klorokina.
Ngarkesa virale është më e ulët në tamponet që rezultojnë pozitive.
Të gjitha këto të dhëna shkojnë në linjë me paradoksin ndërmjet kurbës së rasteve të reja dhe kurbës së vdekjeve.
Nga ana tjetër duhet të themi, që për siguri duhet të presim edhe rreth 5-10 ditë, pasi siç e dimë nga zbulimi deri në vdekje nevojiten disa ditë.
Mirëpo cfarë po ndodh në Shqipëri?
Së pari kujtoj që ligji i numrave të vegjël lejon variacione statistikore të gjera dhe si rrjedhojë alteron perceptimet.
Po të vëreni me kujdes kurbat shqiptare të rasteve të reja dhe të vdekjeve do të vini re se rastet shoqërohen pothuajse menjëherë me vdekje, pra nuk qëndron ajo pritja me 5-10 ditë që u tha më lart.
Pse kjo çudi shqiptare?
Mundësia më e madhe është se shumica dërrmuese e këtyre vdekjeve kanë ndodhur në pacientë spitalorë të shtruar me sëmundje të tjera të rënda.
Si rrjedhojë, koha ndërmjet tamponit pozitiv dhe vdekjes është më e shkurtër se sa mund të pritej pasi pacienti është në gjendje të rëndë që në fillim nga sëmundjet e mëparshme, pa lidhje me COVID-19.
Kujtoj se nuk ka asnjë komunikim zyrtar mbi numrin total të pacientëve të infektuar nëpër spitale dhe ecurinë e tyre. Të dhënat që kemi janë përmes kolegëve mjekë dhe burimeve mediatike.
Tjetra mundësi, më pak e mundshme, është se këta pacientë janë testuar vonë gjatë ecurisë së sëmundjes, si rrjedhojë nuk kanë pasur mundësi për trajtim sa më herët.
Kjo është arsyeja pse nevojiten sa më shumë testime, që pacientët të zbulohen sa më herët dhe të trajtohen sa më shpejt.
Tjetër element: në Shqipëri nuk janë dhënë kurrë të dhëna mbi nivelin e ngarkesës virale në tampone. Si rrjedhojë, nuk mund t’i analizojmë këto të dhëna.
Kështu që miqtë e mi, mos lini zhurmën t’ju çorientojë, por përqendrohuni te sinjali i vërtetë.
Në nivel komunitar, rastet e reja po shtohen, si në SHBA! Gjithashtu, edhe vdekjet në nivel komunitar nuk kanë rritje, si në SHBA! Rritja është në nivel spitalor.
Ndërkohë, patjetër mundohuni të mbani distanca fizike dhe ruani higjienën.

Dr. Shk. Ilir Alimehmeti
Epidemiolog Klinik
Fakulteti i Mjekësisë, UMT.