U dënua me 40 vjet burg për ngjarjet në Kumanovë: “Prisja të shkoja në veri, u kontaktova për diçka tjetër”

Ish-ushtari i UÇK-së, Enver Hoxha-Klajn, i dënuar me 40 vjet burgim për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në Kumanovë, tha se ndjehet i përdorur. Në lidhje direkte në Frontal të T7, ai tha se “jam shumë i zhgënjyer nga qeveritë”, për shkak që siç tha, ka pasur “një mosinteresim total” për ta. Veten dhe të burgosurit tjerë të Grupit Kumanova, ai i ka quajtur “pengje politike”, ndërsa tha se ishte kontaktuar për diçka tjetër para se të kthehej nga Gjermania në Kosovë atë maj të vitit 2015.

“Unë jam kontaktu për diçka krejt tjetër. Pse gjendemi prapa grilave edhe për mua është një pikëpyetje shumë e madhe. Këtu kemi të bëjmë me manipulim të ndjenjave patriotike”, tha Hoxha-Klajn. Ai tha se priste më shumë të merrte rrugën për veri të Kosovës.
“Para 7 viteve e kam pritur që rruga më tepër do të më shpiente për pjesën veriore të Kosovës. Në atë pjesën ku strukturat paralele serbe e kanë sfiduar shtetin e Kosovës qysh nga përfundimi i luftës së Kosovës”, tha ai.