U anulua gjykimi për organizatorët e sulmit të përgjakshëm të 27 Prillit, pasi që mbrojtja kërkoi kohë për t’i parë provat.
Seanca e radhës është caktuar për më 26 shkurt.
Të akuzuar në këtë lëndë janë ish kryeparlamentari, Trajko Veljanovski, ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski, ish ministri i Arsimit, Spiro Ristovski dhe ish drejtori i Policisë Sekrete, Vlladimir Atanasov.
Në këtë lëndë akuzohen edhe ish kryeministri Nikolla Gruevski dhe ish pjesëtari i DSK-së, Nikolla Boshkovski, megjithatë pasi që ata janë të arratisur, procedura për ta do të ndahet dhe të njëjtit do të gjykohen, pasi të jenë të kapshëm për organet e rendit.
“Të dyshuarit në fillim të vitit 2017-të, kishin përgatitur dhe realizuar plan me qëllim që të pamundësojnë pranim-dorëzimin e qetë të pushtetit. Kishin organizuar dhe materialisht i kishin mbështetur protestat masive, së pari para Komisionit Shtetëror Zgjedhor, ndërsa pastaj edhe protestat e lëvizjes “Për Maqedoni të përbashkët” të cilat kulmuan me hyrjen e dhunshme në Kuvend më 27 prill të vitit 2017-të”, kanë theksuar nga PThP.
Sipas PTHP-së kjo ishte bërë me qëllim që të rrezikohet rendi kushtetues dhe siguria.
“Me qëllim që ta rrezikojnë rendin kushtetues dhe sigurinë, ditën kritike kishin organizuar hyrjen pandërprerë të masës së popullatës në shtëpinë ligjvënëse, kanë përfshirë shoqata patriotike për realizimin e dhunës. Njëherit nga selia e partisë politike vazhdimisht e kishin mobilizuar anëtarësinë e partisë nga Shkupi dhe qytetet tjera. Njëkohësisht, një nga të dyshuarit me veturë, pronë e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, kishte sjellë armë dhe jelekë mbrojtës para Kuvendit të Republikës së Maqedonisë që ishin të dedikuar për persona të cikët protestojnë dhe kanë përvojë në menaxhimin me armët. Me këto aktivitete të dyshuarit kishin shkaktuar ndjenjën e pasigurisë, kërcënim dhe frikë te qytetarët”, thonë nga PTHP.
Sulmi i përgjakshëm ndaj “demokracisë”
Hetimi tregoi, se ngjarja ishte organizuar nga udhëheqës të atëhershëm të institucioneve të sigurisë, nga funksionarë të lartë të ish partisë në pushtet për një dekadë, tash në opozitë, VMRO-DPMNE-ja, ndërkaq rezultoi me hyrjen në shtëpinë ligjvënëse të pjesëtarëve të iniciativës “Për Maqedoni të përbashkët”, e cila për 4 muaj protestoi rrugëve të Shkupit, kundër “Deklaratës së përbashkët të partive shqiptare” dhe kundër Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
Emërimi i Xhaferit si kryetar të Kuvendit të RMV-së, ishte një arsye, që pjesëtarët e “Për Maqedoni të përbashkët”, t’u hapen dyer nga deputetë të VMRO-DPMNE-së, Kërste Mukoski, Sasho Vasilevski, Johan Tarçullovski dhe të tjerë, të cilët më pas rrahën deputetë. Në gjendje më të rëndë ishte deputeti dhe lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, i cili u tërhoq zvarrë rrugëve të Kuvendit. I rrahur mbeti edhe lideri i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev, i cili pas marrjes në duar të Qeverisë së RMV-së, dhe pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës, dhe realizimin e ndryshimeve kushtetuese, u fali edhe publikisht sulmuesit. Sulmuesit i ka falë edhe Talat Xhaferi.
Institucionet e sigurisë, në krye me drejtorit e Byrosë për Siguri Publike, Mitko Çavkov, u treguan rezistencë ndaj turmës që e vërshoi Kuvendit, sepse nuk reaguan shpejtë dhe në mënyrë efikase, e cila më pas rezultoi, përveç me sulmin e deputetëve, edhe me sulm ndaj gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve që kishin qenë në Qendrën Mediale të Kuvendit për të raportuar për procesin – emërimin e Talat Xhaferit si kryetar Kuvendi.
Këngë patriotike maqedonas, himni maqedonas, thirrje antishqiptare, e përshkuan lëvizjen e sulmuesve të Kuvendit.
27-prilli i 2017-s hyri në historinë parlamentare, jo vetëm atë të Maqedonisë, por edhe të botës. Megjithëse i tëri u dëshmua nga gazetarë, kameramanë dhe fotoreporterë, është me aktgjykimi gjysmak.
Deputetë që ndihmuan në hapjen e dyerve u amnistuan, ndërkaq për organizatorët e sulmit, si për ish kryetarin e Kuvendit, Trajko Veljanovski, ish ministrat, Mile Janakieski dhe Spiro Ristovski. Pjesë e këtij grupi është edhe ish lideri dhe deputeti i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, i cili, para se të marrë njoftimin për ta vuajtur dënimin e shqiptuar në rastin e Prokurorisë Speciale Publike (PSP), u arratis në Budapest të Hungarisë, ku edhe ka kërkuar azil.
Gjykata dënoi vetëm disa prej të akuzuarve, pasi që të tjerët u amnistuan. Të dënuarit për ngjarjen e përgjakshme të “27 Prillit” janë shpallur fajtorë për veprën penale “rrezikim terrorist të rendit kushtetues”, dhe u ndëshkuan me gjithsej 211 vjet burg.
Mitko Çavkov: 18 vjet burg
Mitko Peshov: 15 vjet burg
Dushko Llazarov: 15 vjet burg
Goran Gjoshevski – Levi: 15 vjet burg
Jane Çento: 15 vjet burg
Vllatko Trajkovski: 15 vjet burg
Munir Pepiq: 15 vjet burg
Nikolla Mitrevski – Kolo: 15 vjet burg
Vilijam Mihajllovski: 14 vjet burg
Oliver Popovski: 13 vjet burg
Gorançe Angellovski: 12 vjet burg
Igor Jug: 12 vjet burg
Mlladen Dodevski: 12 vjet burg
Oliver Radullov: 10 vjet burg
Aleksandar Vasilevski – Ninxha: 8 vjet burg
Abdulfetah Alimi: 7 vjet burg
Të akuzuarit gjithashtu duhet që t’i paguajnë harxhimet gjyqësore në vlerë prej 18 mijë euro, ndërkaq Igor Durllovski u lirua nga akuza dhe harxhimet gjyqësore janë në llogari të shtetit./Portalb