A e sajoi Agjencia Sekrete e Maqedonisë përplasjen e armatosur për të tërhequr vëmendjen nga skandalet e korrupsionit? Në përvjetorin e tretë të incidentit të Kumanovës, BIRN analizon provat.
Si në shumë rrugë në pjesët etnikisht të përziera të Maqedonisë, Tode Mendol në qytetin verior të Kumanovës ka dy emra jozyrtarë. Shqiptarët etnikë e quajnë atë “Rruga e Trimave”. Të tjerët, “Rruga e Çmendur”.
Herët në mëngjesin e 9 majit 2015, ajo u bë zonë lufte.
“Të shtënat filluan kur ne po luteshim,” rikujton Eljesa Mahmudi, imam në Xhaminë e Re e cila i shërben rrugës me banorë më së shumti shqiptarë. “Nuk e dinim se çfarë po ndodhte.”
Në cepin e rrugës Pero Ilievski, një shpërthim zgjoi nga gjumi Ramadan Baftiun, një shofer taksie me kohë të pjesshme. Rrugica e ngushtë pa krye ishte përplot me policë të armatosur me kallashnikovë.
“Unë u fsheha në bodrum për 14 orë ndërkohë që jashtë ndodhte gjithçka,” tha ai.
Përgjatë dy ditëve të pasuan, njësi të njësisë antiterroriste të policisë Maqedone, rrethuan 39 shqiptarë të armatosur të fshehur në tre shtëpi të marra me qira në rrugën Pero Ilievski.
Të veshur me rroba ushtarake dhe me jelekë antiplumb, sulmuan shtëpinë e Nezir Murtezit, një pensionist që jetonte dy dyer larg shtëpive të rrethuara.
“Policia hapi zjarr nga tarraca ime, nga dhoma e ndenjes dhe nga salloni,” tha ai. “Ata hodhën çdo gjë që kishin.”
Më vonë u mësua se 31 të armatosurit e rrethuar ishin nga përtej kufirit në Kosovë, veteranë të luftës me Serbinë në fund të viteve 1990. Ata iu përgjigjën policisë me snajperë, automatikë AK-37 dhe mitralozë.
Beteja shkatërroi të gjithë lagjen. Shpërthimet i kthyen shtëpitë në rrënoja dhe i vunë zjarrin makinave. Mjetet e blinduara rrëzuan muret.
Nga ora 9 e mëngjesit të 10 majit 2015, kur i armatosuri i fundit u dorëzua, policia numëroi nga radhët e veta tetë të vdekur dhe 37 të plagosur. Dhjetë të armatosur, përfshirë udhëheqësit e grupit, u vranë në luftime, bëri të ditur policia më vonë.
Nikola Gruevski, në atë kohë kryeministër, foli para kombit në televizion. Me fytyrë të zymtë, ai tha se policia kishte mposhtur një “grup terrorist” që kishte hyrë nga përtej kufirit me planin për “vrasje masive” në stacione policore, qendra tregtare dhe aktivitete sportive.
“Një gjë është e sigurt,” tha ai. “Synimi i tyre ishte që të destabilizonin Maqedoninë.”
Tre vjet më vonë, ndërsa në Shkup ka një qeveri të re, asgjë nuk është më e qartë mbi motivet e të armatosurve.
Në fillim të nëntorit 2017, Gjykata Penale e Shkupit dënoi 33 burra me 745 vjet burg në total nën akuzat për terrorizëm. Shtatë morën dënime me burg për jetë ndërsa të tjerët u dënuan me 12 deri në 40 vjet burg. Katër u shpallën të pafajshëm.
Por gjyqi nuk dha shumë përgjigje për një pyetje që shumë njerëz vijojnë ta ngrenë me këmbëngulje: kush i urdhëroi të armatosurit të shkojnë në Kumanovë? Cili fshihet pas gjithë kësaj?
Gjyqi nuk arriti të mposhtë as thirrjet për hetim ndërkombëtar mbi incidentin në një kohë të ndjeshme politikisht, kohë kur Maqedonia po kërkon anëtarësim në NATO dhe bisedime për pranim në BE, që të dyja të bllokuara nga Greqia fqinje për shkak të një mosmarrëveshjeje të vjetër dypalëshe mbi emrin e vendit.
Prokurorët kanë këmbëngulur se grupi veproi më vete, të etur për të vrarë në emër të kërkimit të më shumë të drejtave për shqiptarët etnikë në Maqedoni. Ata patën qenë nën përgjim para se përpjekja për t’i arrestuar të kthehej në një gjakderdhje.
Të gjithë të akuzuarit mohuan akuzat për terrorizëm, duke thënë se ata vepruan në vetëmbrojtje pasi policia filloi t’i sulmojë ata. Disa thanë se kishin qenë viktima të një kurthi të motivuar politikisht, të joshur për të shkuar në Kumanovë nga autoritetet Maqedone ku një kurth ishte ngritur për t’i pritur.
Edhe para gjyqit, spekulimi ishte i madh se autoritetet mund të kenë orkestruar një përplasje në Kumanovë – ose së paku mund të kenë toleruar planin e grupit për të vepruar atje – me synimin për të shkaktuar tensione etnike dhe për të tërhequr vëmendjen nga një krizë korrupsioni që kishte mbërthyer qeverinë e kohës të udhëhequr nga Gruevski dhe nga partia e tij VMRO DPMNE.
Mes teoricienëve të komplotit ishte edhe Zoran Zaev, në atë kohë udhëheqës i Socialdemokratëve në opozitë, SDMS, i cili sot është kryeministër. Ai i tha gazetarëve disa ditë pas përleshjes: “Nga të dhëna të forta se ky rast është një skenar i orkestruar nga njerëzit në pushtet.”
Në përvjetorin e tretë të incidentit, Rrjeti Ballkanik për Gazetari Investigative, BIRN, mund të zbulojë ekskluzivisht komente nga një zyrtar i lartë i Agjencisë Sekrete që kundërshtojnë versionin zyrtar të asaj se si njerëzit e armatosur shkuan në Kumanovë.
BIRN nuk ishte në gjendje të verifikonte në mënyrë të pavarur informacionin e këtij burimi – ndërsa versioni i tij i ngjarjeve mohohet me këmbëngulje nga udhëheqësit e VMRO DPMNE, duke përfshirë presidentin e Maqedonisë Gjorge Ivanov.
Por të marra së bashku me dëshmitë në gjykatë, të dhënat e nxjerra nga bisedat e përgjuara dhe të dhënat e mjekësisë ligjore që tregojnë se disa nga të armatosurit u ekzekutuan në grup, ky pretendim i pakonfirmuar mbart një dramë të vlefshme për një roman spiunazhi.
Sipas oficerit, i cili foli në kushtet e anonimatit, luftëtarët në Kumanovë u rekrutuan dhe u armatosën me ndihmë të Agjencisë Sekrete, e cila i dha atyre kalim të sigurt për në Kumanovë para se forcat e policisë të ndërhynin.
“Konflikti në Kumanovë u organizua tërësisht nga Agjencia Sekrete e Maqedonisë,” zyrtari i tha BIRN. “Ai ishte një skenar i organizuar keq që shkoi edhe më keq në terren.”
BIRN ia prezantoi pretendimet, të cilat nuk janë të mbështetura nga prova të forta, Agjencisë Sekrete. Presidenti Ivanov, i cili mbikëqyr agjencinë dhe drejton Këshillin e Sigurisë Kombëtare, u përgjigj personalisht.
Ivanov mohoi që agjencia apo kabineti i presidentit të kenë organizuar incidentin në Kumanovë dhe i cilësoi akuzat “një përpjekje e dëshpëruar për të keqinformuar me lajme të rreme dhe për të ndërtuar një perceptim negativ mbi institucionet”.
Zaev, qeveria e të cilit e udhëhequr nga SDSM erdhi në pushtet në maj, pas dhjetë vjetësh sundim nga VMRO DPMNE e Gruevskit, tha se ai mbështet një rigjykim të çështjes. Nëse kjo ndodh, autoritetet kanë dhënë shenja se mund të kërkojnë ndihmë nga jashtë për të ndihmuar në heqjen e dyshimeve të mbetura mbi këtë çështje.
Kohë e përshtatshme?
Ndërsa banorët pastruan mbetjet pas përleshjes – xhama të thyer, metale të deformuara dhe tulla të djegura – ishte e pamundur të mos rikujtoheshin ditët e errëta të vitit 2001.
Zona përreth Kumanovës pati qenë në zemër të një konflikti dhjetëmujor më 2001 mes forcave të sigurisë dhe guerilëve shqiptarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare UÇK, tashmë të shpërndarë.
Një marrëveshje paqeje e ndërmjetësuar nga NATO ndihmoi Maqedoninë të shmangte një luftë civile totale, duke trajtuar shumë nga pakënaqësitë që kishin nxitur kryengritjen, përfshirë mungesën e përfaqësimit politik të shqiptarëve të Maqedonisë të cilët përbëjnë së paku një të katërtën e popullsisë prej 2.1 milionë banorëve të Maqedonisë.
Marrëveshja e paqes e vitit 2001 e bëri shqipen gjuhë zyrtare në bashkësitë ku shqiptarët etnikë përbëjnë së paku një të katërtën e të gjithë popullsisë. Ajo garantoi gjithashtu që shqiptarët etnikë të kishin përfaqësim proporcional në qeveri dhe në institucionet shtetërore.
Ngjarjet para luftimeve të Kumanovës
9 shkurt 2015 – Qeveria e kryeministrit Nikola Gruevski u mbërthye nga një skandal korrupsioni për shkak se opozita filloi publikimin e përgjimeve për të cilat thotë se inkriminojnë Gruevskin dhe rrethin e tij të ngushtë.
4 prill 2015 – Ish gjenerali i policisë Stojance Angelov i thotë protestuesve se ai ka informacion se “dikush” pagoi dy milionë euro te “kriminelët” etknikë shqiptarë që të hiqen si pjesë e një grupi kryengritësish aktualisht të shpërndarë dhe të provokonin konflikt ndëretnik në rajonin e Kumanovës.
10 prill 2015 – Selia e qeverisë në Shkup sulmohet me një granatë. Nuk ka viktima.
11 prill 2015 – Dikush që e quan veten “Komandant Kushtrimi” merr përgjegjësinë për sulmin me granatë dhe paralajmëron për më shumë bomba deri sa shqiptarëve t’u jepen të drejta të barabarta në Maqedoni.
21 prill 2015 – Dyzet njerëz të armatosur dhe me maska kalojnë kufirin nga Kosova dhe sulmojnë një stacion policor në fshatin Goshincë, duke rrëmbyer një sasi të madhe armësh dhe municionesh.
26 prill 2015 – Mirsad Ndrecaj, një ish luftëtar nga lufta e Kosovës me Serbinë, merr përgjegjësinë për vjedhjen në Goshincë.
27 prill 2015 – Partia në pushtet VMRO DPMNE njoftoi se do të ndryshojë datën e kongresit të partisë së saj, të planifikuar për t’u zhvilluar në Kumanovë më 9 dhe 10 maj, duke e afruar kongresin më 2 dhe 3 maj. Media vendëse përmend shqetësime për sigurinë si shkak.
30 prill 2015 – Udhëheqësi i opozitës Zoran Zaev bën thirrje për protesta masive më 17 maj. Rreth 100 mijë njerëz pritet të marrin pjesë. “Këtë herë ne nuk do të kthehemi në shtëpi deri sa qeveria të rrëzohet,” thotë ai.
3 maj 2015 – Një shpërthim ndodh në Tetovë në selinë e partisë më të madhe të shqiptarëve në Maqedoni dhe aleatit në qeverisje. Askush nuk mbetet i vrarë.
5 maj 2015 – E para nga shumë protesta të mëdha trondit Shkupin ndërsa zemërimi publik rritet mbi skandalin e përgjimeve.
7 maj 2015 – Opozita publikon përgjime për të cilat thotë se tregojnë ministra që fshehin informacion të rëndësishëm mbi vdekjen e një gazetari të mirënjohur, duke shkaktuar zemërim dhe përplasje me policinë në Shkup.
9 maj 2015 – Pak para agimit, të shtënat me armë dhe shpërthimet tronditin një lagje shqiptarësh në Kumanovë ndërsa policia antiterror luftoi me 39 njerëz të armatosur të fshehur në tre shtëpi. Ky është fillimi i një përleshjeje vdekjeprurëse dyditore. Edhe para se tymi të shpërndahet, kritikët akuzojnë qeverinë për organizimin e incidentit me synim të shmangies së vëmendjes nga skandali i përgjimeve.
Në Kumanovë, ku 20 mijë shqiptarët etnikë përbëjnë pothuajse gjysmën e banorëve të qytezës, qetësia kishte sunduar që nga ajo kohë. Ngjarjet e 9 dhe 10 majit ngritën mundësinë e një përplasjeje të re etnike.
Ato ngritën gjithashtu një pyetje: pse tani?
Në fjalimin e tij para kombit pas përleshjes, Gruevski i bëri thirrje “atyre që kritikojnë opozitën ose qeverinë që tashmë të ndalojnë, për shkak se ne tani kemi nevojë për unitet”.
Disa kritikë e gjetën këtë tepër të leverdishme për qeverinë.
Gruevski ishte zënë në skandal që nga shkurti i vitit 2015, kur udhëheqësi i opozitës Zaev filloi të publikojë ato që i quante “bomba” informative – pjesë të përgjimeve sekrete që ai tha se provonin se qeveria ishte pas përgjimit të paligjshëm të mbi 20 mijë shtetasve.
Opozita pretendoi se përgjimet e rrjedhura implikonin zyrtarët e lartë në krime të shumta, përfshirë manipulim zgjedhor, abuzim me pushtetin dhe fshehje të një vrasjeje, akuza që qeveria i mohoi, duke thënë se përgjimet ishin sajuar nga agjentë të huaj.
Skandali i përgjimeve shkaktoi protesta të zemëruara dhe kërkesa për dorëheqjen e Gruevskit. Kritikët vranë mendjen nëse incidenti i Kumanovës mund të ishte sajuar për të çmontuar përpjekjet për rrëzimin e tij.
Gruevski mohoi të gjitha akuzat, duke këmbëngulur se përgjimet ishin sajuar dhe rrjedha e tyre ishte pjesë e një komploti për të destabilizuar vendin nga ana e “shërbimeve sekrete të huaja” të cilat nuk kishin emër, në bashkëpunim me kundërshtarët e tij politikë në Maqedoni.
Një nga përgjimet që u publikua më 15 maj 2015, supozohet që mbart një bisedë mes kreut të kabinetit të Gruevskit Martin Protugjer dhe ministres së brendshme Gordana Jankuloska, në të cilën ata duket se po luajnë me idenë e nxitjes së një konflikti.
“Pse të mos bëjmë një luftë [me shqiptarët]?” i thotë Protugjer Jankullovskës.
“Ne mund t’i dërrmojmë ata brenda një ore!” përgjigjet Jankuloska.
Pak ditë pas përleshjes, Jankuloska dha dorëheqjen. Po kështu bëri edhe Saso Mijalkov, shefi i policisë sekrete dhe kushëri i Gruevskit. Që të dy thanë se dorëheqjet e tyre nuk kishin të bënin me Kumanovën por synonin të ndihmonin zgjidhjen e krizës politike që po konsumonte vendin dhe për të cilën ata akuzonin opozitën.
Vetë Gruevski dha dorëheqjen, në janar 2016, sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga BE për t’i dhënë fund krizës së shkaktuar nga skandali i përgjimeve. Në qershor 2017, ai dhe grupi i tij u akuzuan për manipulim zgjedhor dhe krime të tjera të dyshuara.
Nëse Kumanova ishte një hile nga qeveria për të shmangur kritikat, dukshëm ajo nuk funksionoi.
BIRN nuk ishte në gjendje të kontaktonte Gruevskin për komente por VMRO DPMNE të cilën ai sërish e drejton, iu përgjigj pyetjeve të BIRN në një deklaratë në nëntor 2017.
“Akuzat e ish-opozitës janë tërësisht false dhe ishin prej një kohe të gjatë pjesë e një fushate të zezë të udhëhequr nga media nën kontrollin e tyre,” tha zëdhënësi i VMRO DPMNE Ivo Kotevski në një email. “Akuza të tilla ishin pjesë e një propagande të mirëpërgatitur kundër partisë, me synimin për të ulur besimin te ajo.
“Në fund të fundit, as atëherë dhe as sot, gjysmë viti pasi SDMS erdhi në pushtet, nuk ka pasur asnjë provë që të mbështesë konkluzionin se përfaqësuesit e partisë sonë ishin përfshirë në orkestrimin e ngjarjes në Kumanovë.”
Goran Mitevski, drejtor i Agjencisë së Kundërzbulimit mes viteve 1999 dhe 2001, i tha BIRN në nëntor 2017 se ai kishte dëgjuar raporte të pakonfirmuara se incidenti “u organizua nga zyrtarë të lartë të shtetit”.
Agjencia e Kundërzbulimit është një ent i veçantë nga Agjencia Sekrete.
Pyetur se çfarë mund të kishte përfituar qeveria nga organizimi i një incidenti të tillë, ai spekuloi se ajo mund të kishte kërkuar një justifikim për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në mes të thirrjeve për zgjedhje të parakohshme.
“Por për të provuar të gjithë këtë, ka nevojë për një hetim ndërkombëtar me përfshirjen e ekspertëve të huaj apo agjentëve nga rajoni apo nga vende të tjera të huaja,” tha ai.
Paralajmërimet
Ndërsa plumbat ende po përplaseshin nëpër mure në Kumanovë, skeptikët gjetën arsye për të qenë dyshues.
Brenda pak orësh nga ngjarja, media sociale u ndez me rikujtesën e një fjalimi të mbajtur pesë javë më herët nga një ish gjeneral policie i quajtur Stojance Angelov. Ai fjalim nuk kishte marrë shumë vëmendjen në atë kohë por tashmë dukej kuptimplotë.
Gjenerali i policisë në pension tashmë është udhëheqës i një partie të vogël në opozitë të quajtur Dinjitet. Më 4 prill 2015, ai iu drejtua protestuesve anti-qeveritarë në Shkup.
“Dikush në vendin tonë ka përgatitur një plan monstruoz për të shkaktuar një konflikt ndëretnik,” Angelov tha nga podiumi, pa shpjeguar se kush ishte ky “dikushi”.
“Unë kam informacion se dikush ka dhënë dy milionë euro te disa shqiptarë që nuk kanë fare të bëjnë me UÇK-në, disa kriminelëve nga Lipkova [Pranë Kumanovës]. Puna e tyre është që të pretendojnë se janë UÇK, dhe të vrasin disa oficerë policie apo ushtarë dhe të shkaktojnë një konflikt ndëretnik.”
Në nëntor 2017, Angelov i tha BIRN se informacioni i tij i kishte ardhur nga “njerëz që punonin për sigurinë shtetërore dhe shërbime të tjera” dhe se ai e kishte verifikuar atë me burime të tjera sekrete.
Plani ishte që të paguheshin kriminelë për të rekrutuar – si “dëme anësore” – një grup syleshësh patriotikë mes shqiptarëve etnikë për të nisur sulme në Maqedoni, në dukje për të mbrojtur shqiptarët etnikë nga nëpërkëmbja shtetërore, tha ai se i ishte thënë.
“Unë thashë në atë kohë se njerëz pranë pushtetit ishin nxitësit e këtij akti të përgjakshëm,” tha ai. “Unë besoj se askush nuk dëshironte të shihte këtë pasojë tragjike, por besoj se në një çast ata humbën kontrollin.”
Gjashtë ditë pas fjalimit të Angelov, dikush hodhi një granatë jashtë selisë së qeverisë në Shkup. Nuk pati viktima dhe dëmi material ishte minimal.
Dikush që e quante veten “Komandant Kushtrimi” mori përgjegjësinë në një email dërguar në media që mbante logon e UÇK-së dhe në mënyrë acaruese, firmën e falsifikuar të guvernatorit të Bankës Europiane.
Kushtrimi kërcënoi sulme të tjera deri sa të gjithë shqiptarët të kishin të drejta të barabarta me maqedonasit.
Më 3 maj 2015, një bombë shpërtheu në qytetin verior të Tetovës në selinë qendrore të Bashkimit Demokratik për Integrim BDI, partia më e madhe e shqiptarëve dhe partner i vogël në qeveri. Askush nuk u vra apo plagos dhe askush nuk mori përgjegjësinë për sulmin.
Por më 21 prill 2015 të supozuarit luftëtarë të UÇK-së lanë gjurmën e tyre.
Policia njoftoi se 40 njerëz të armatosur dhe me maska që mbanin simbole të UÇK-së kishin kaluar nga Kosova dhe kishin sulmuar një stacion policor në fshatin Goshince, në zonën e Lipkovës pranë kufirit.
Ata lidhën dhe rrahën katër policë para se të largoheshin nga ky stacion policor me katër veta ku morën edhe një arsenal shumë të madh me armë dhe municione, përfshirë një duzinë automatikësh.
BDI paralajmëroi maqedonasit të mos binin pre e asaj që e quajti “provokim”.
Agjencia maqedonase e lajmeve Zhurnal citoi ish-komandantin e UÇK-së në Lipkovë të thoshte se shërbimet sekrete e kishin sajuar incidentin e Goshincës për të nxitur përplasje etnike dhe për të shtyrë maqedonasit të mbështesnin qeverinë.
“Qeveria ka paguar disa njerëz për të krijuar një problem këtu dhe për të manipuluar opinionin publik,” u citua ai.
Në korrik 2017, zyrtari i lartë i shërbimeve sekrete i tha BIRN dhe agjencia sekrete kishte nxitur sulmuesit të vinin në Goshincë për të vjedhur armët, por ai nuk ofroi prova.
Pesë ditë pas sulmit në Goshincë, një njeri i quajtur Mirsad Ndrecaj, më vonë i identifikuar si udhëheqësi i vrarë i të armatosurve të Kumanovës, postoi një mesazh në Facebook duke marrë përgjegjësinë për grabitjen.
“UÇK ka goditur gjithmonë aty ku armiqve u dhemb më shumë”, shkroi ai. “Ne nuk duam luftë, por kur ajo na imponohet, ne do të jemi gjithmonë gati për të mbrojtur kombin e dashur shqiptar”.
Autoritetet më vonë konfirmuan se armët e kapura në Goshincë ishin përdorur në Kumanovë. Përveç armëve të gjetura në rrugën Pero Ilievski, policia gjeti 65 automatikë dhe tetë karikatorë nga e njëjta ngarkesë të groposura në një pyll pranë qytetit.
Një ditë pas sulmit në Goshincë, VMRO DPMNE njoftoi se ajo do të ndryshojë datën e kongresit të saj që mbahet një herë në katër vjet, në të cilin Gruevski po kandidonte pa kundërshtarë për një mandat të katërt si kryetar i partisë. Kongresi ishte planifikuar të zhvillohej në Kumanovë më 9-10 maj por u afrua në 2-3 maj.
Pyetur mbi ndryshimin e datave, zëdhënësi i VMRO DPMNE Kotevski i tha BIRN se partia e pati ndryshuar kongresin në përgjigje të përshkallëzimit të krizës politike për të cilën ia hodhi fajin opozitës, “në mënyrë që të sillej vëmendja e plotë e udhëheqësisë së partisë në krizën politike”.
Ai tha: “Partia nuk kishte asnjë informacion mbi grupin dhe qëllimet e tyre për të hyrë në Kumanovë.”
Një mur me shenjat e plumbave tregon ashpërsinë e luftimeve më Kumanovë. Foto: Amir Idrizi
Takim sekret
Ndrecaj, udhëheqës i të armatosurve, ishte një ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë konfliktit me Serbinë. Ai ishte nga qyteti i Gjakovës në Kosovën perëndimore.
Një muaj pasi ai u deklarua i vdekur në Kumanovë, media në Kosovë publikoi një përgjim telefonik që supozohej se kishte të bënte me një telefonatë mes Ndrecajt dhe një burri që më vonë u identifikua në gjykatë si një shqiptar agjent që punonte për Agjencinë e Shërbimeve Sekrete të Maqedonisë.
Emri i agjentit ishte Shenasi Memedi.
“Të dërgova një mesazh por ai numri yt nuk po punon,” thotë Memedi në një nga përgjimet, që duket se janë bërë pak kohë pas dramës me pengje në Goshincë. “E pashë reagimin mbrëmë.”
Ndrecaj: “Cilin?”
Memedi: “atë që shkrove në Facebook. Që UÇK pushtoi stacionin.”
Ndrecaj: “Dhe? të pëlqeu?”
Memedi: “Ishte shumë, shumë i mirë.”
BIRN nuk ishte në gjendje të kontaktonte Memedin, por zyrtari i lartë i shërbimeve sekrete pretendoi se ai ishte i përfshirë në planifikimin e operacionit në Kumanovë.
Zyrtari i lartë i shërbimeve sekrete identifikoi një burrë tjetër si “ideatori”: Sinisha Aleksovski, një agjent i Shërbimeve Sekrete i cili është gjithashtu pjesë e kabinetit të Presidentit Ivanov si këshilltari i tij për sigurinë.
“Çdo gjë ishte nën komandën e Sinisha Aleksovskit, këshilltarit të presidentit për sigurinë ndërsa Shenasi Memedi ishte në terren,” tha ai.
Kontaktuar nga BIRN, Aleksovski refuzoi të komentojë.
Në një intervistë televizive në maj 2017, kryeministri Zaev e lidhi gjithashtu Aleksovskin me incidentin e Kumanovës.
“Shumë struktura janë të përfshira,” tha ai. “Njëri është Sinisha Aleksovski. Ne dëgjuam bisedën mes tij dhe një personi të quajtur ‘komandanti NATO’ Mirsad Ndrecaj nga Kosova, një kriminel me famë dhe bandit që punonte në këto zona: Kosovë, Serbi, Preshevë, Kumanovë, Tetovë, Shkup – dhe ata kanë komunikuar.
“Për çfarë arsyeje ata duhej të komunikonin? Ka të dhëna serioze për Sinisa Aleksovskin. Unë mendoj se ai është kreu i shërbimit sekret dhe se ishte me Gjorgje Ivanov, por ka të dhëna të tjera për përfshirjen e strukturave edhe më të larta.”
Presidenti Ivanov, i cili vjen nga radhët e VMRO DPMNE dhe ka qenë kreu i shtetit që nga viti 2009, mohoi se ai apo kabineti i tij të kishin të bënin me çfarë ndodhi në Kumanovë.
“As unë si president dhe as kabineti im nuk jemi të përfshirë në asnjë lloj mënyre në rastin e Kumanovës,” tha ai për BIRN në një përgjigje me shkrim ndaj pyetjeve të ngritura për Shërbimet Sekrete. “Presidenti është vetëm përdorues i informacionit të sjellë nga Shërbimet Sekrete dhe shërbimet e tjera të sigurisë.”
Ivanov vijoi: “Nga gjenerata e lajmeve false, unë pres që herën tjetër të më lidhin me vrasjen e [Presidentit të SHBA-së John F] Kennedy. Tregoni së paku një fakt, jo një thashethem, spekulim apo gënjeshtër, por një fakt që të lidhë Kabinetin e Presidentit me aludimet tuaja.
“Unë dua të informoj publikun por dua të dërgoj gjithashtu një mesazh për gjeneruesit e lajmeve false: ne nuk do të rrimë duarlidhur.”
Megjithëse Maqedonia është një demokraci parlamentare dhe fuqitë e presidentit janë të kufizuara, Ivanov është komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura dhe kreu i Këshillit Kombëtar të Sigurisë. Ai emëron gjithashtu drejtorin e Shërbimeve Sekrete.
Kritikët e shohin Ivanovin si një partizan të fortë të partisë së tij VMRO DPMNE. Në mars 2017 ai shkaktoi zemërim kur refuzoi të japë mandatin për Zaev pasi SDSM fitoi mjaftueshëm deputetë për të formuar një qeveri në aleancë me partitë e shqiptarëve. Në Maj 2017 Ivanov në fund u dorëzua.
Përgjimet telefonike të publikuara në Kosovë dhe të kapura nga media maqedonase aludojnë për një takim në Prishtinë, në dukje mes oficerit të shërbimeve sekrete Memedi dhe udhëheqësit e grupit Ndrecaj.
Memedi: “Nesër do të jem në Ferizaj [në jug të Kosovës], bashkë me gruan, vajzën dhe djemtë. Mendova nëse je në Prishtinë, apo ku je ti?
Ndrecaj: “Ne jemi në Prishtinë.”
Memedi: “Do të të telefonoj nesër atëherë dhe do të takohemi diku për një kafe.”
Ndrecaj: “Në rregull, do të takohemi në Prishtinë.”
Memedi: “Përshëndete Beg [Rizaj, një udhëheqës tjetër të vrarë në Kumanovë].”
Ndrecaj: “Ai të përshëndet gjithashtu.”
Në gjykatë, shumë të akuzuar përshkruan së paku një takim në Prishtinë mes Ndrecajt dhe spiunit, Memedi.
Ata thonë se qëllimi ishte specifikisht përgatitja për Kumanovën dhe se takimi ishte regjistruar me video. Një nga të dyshuarit, Andi Krasniqi, tha se regjistrimi është tri orë e 17 minuta i gjatë.
Asnjë video e tillë nuk është shfaqur.
“Ai [Ndrecaj] takoi Shenasi Memedin dhe një djalë tjetër, maqedonas,” i tha Krasniqi gjykatës. “Unë nuk e di emrin e tij por di se është nga shërbimet sekrete.”
Nasuf Bekiri, një i akuzuar tjetër, tha se bashkëudhëheqësi Beg Rizaj ishte gjithashtu në takim.
“Ajo kasetë ekziston dhe do të publikohet,” tha ai. “Ata planifikuan projektin, ku duhej të hynin dhe çfarë duhej të bënin.”
BIRN pyeti Shërbimet Sekrete nëse oficerët e saj janë takuar me anëtarë të grupit para përplasjes së armatosur. Presidenti Ivanov u përgjigj, duke thënë: “Pyetja juaj është në adresë të gabuar.”
Ai shkroi: “Drejtoja pyetjen zyrtarëve të organizatave ndërkombëtare dhe ambasadave të huaja, organeve të shtetit dhe zyrtarëve politikë të cilët kishin komunikime të vazhdueshme me krerët e grupit.
“Pyeti ata mbi kërcënimet për vrasje, zhvatje, shantazh, dhunë fizike dhe si ata nuk i raportuan këto ngjarje, kontaktet dhe natyrën e bisedave te Agjencia Sekrete dhe MInistria e brendshme. Ka shumë.”
Ish drejtori i agjencisë së Kundërzbulimit Mitevski tha se nuk kishte mënyrë se si të armatosurit të arrinin deri te rruga Tode Mendol në Kumanovë me të gjitha armatimet e tyre pa bashkëpunimin e Shërbimeve Sekrete.
“Kur unë them se duhet të ketë pasur mbështetje nga shërbimet sekrete, unë them se ata kanë pasur një shans për të vepruar pranë kufirit me Kosovën ose në ndonjë mjedis tjetër të hapur ku viktimat civile mund të shmangeshin,” tha ajo.
“Sipas informacionit të prokurorisë, grupi u pasua nga një hyrje e shpejtë në Maqedoni nga Kosova. Përfundimi ishte se shërbimi sekret kishte informacion të sigurt mbi kohën dhe vendin ku grupi mund të hynte në Maqedoni.”
Plumba në ballë
Pa provën e videos dhe duke supozuar se takimi ka ndodhur siç është përshkruar, vetëm njerëzit janë ata që mund të konfirmojnë se çfarë u diskutua mes Memedit, dy udhëheqësve të grupit dhe spiunit të dytë të paidentifikuar që përmendet nga i armatosuri Krasniqi.
Memedi u përjashtua nga dëshmimi në gjykatë me parimin e sekretit shtetëror pasi bosi i tij, Drejtori i Shërbimeve Sekrete Zoran Ivanov, dërgoi një letër në gjykatë. Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj janë që të dy të vdekur.
Misteri rrethon edhe vdekjet e tyre. Dëshmitë në gjykatë dhe provat e mjekësisë ligjore sugjerojnë se ata mund të mos jenë vrarë në luftime, siç raportohet.
Dy ditë pas përplasjes së armatosur, Ministria e Jashtme e Maqedonisë tha në një letër për ambasadën e Kosovës në Shkup, parë nga BIRN, se Ndrecaj dhe Rizaj u kapën të gjallë, krahas një burri të quajtur Arben Rexhaj, i cili më vonë u llogarit mes të vdekurve. Ministria më vonë e quajti këtë një gabim.
Raportet e mjekësisë ligjore që iu treguan BIRN nga një avokat mbrojtës tregojnë se Rizaj dhe Rexhaj ishin vrarë që të dy me një plumb të vetëm në ballë.
Raportet nuk japin të dhëna mbi distancën që plumbat fluturuan para impaktit.
“Në eksperiencën time, vlerësimi i distancës shkruhet gjithmonë,” tha avokati mbrojtës Naser Raufi. “Ky është raporti i parë që unë kam parë pa një vlerësim të tillë.”
Aleksandar Stankov, i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Shkup, i cili bëri raportet, nuk ishte dakord që një informacion i tillë duhej të ishte dhënë patjetër – megjithëse ai tha se ishte e lehtë që distanca të llogaritej nëse kërkohej.
“Distanca e goditjes nuk përmendet në protokoll, por prokuroria apo avokatët mund ta kërkojnë këtë informacion,” tha ai. “Ata mund të na kishin telefonuar dhe kërkuar përgjigje shtesë.”
Bazuar në raportet dhe në fotografitë, avokati i mbrojtjes Raufi tha se ka gjasa që udhëheqësit të jenë qëlluar nga një distancë e afërt.
“Kjo lloj ngjashmërie mund të arrihet vetëm nga një distancë shumë e afërt, për shembull një metër,” tha ai.
“Nuk ka mundësi që kjo të ketë ndodhur gjatë luftimeve, siç thotë prokuroria. Akuza thotë se luftëtarët, ose udhëheqësit e ekzekutuar, nuk ishin ballë për ballë me policinë në asnjë moment gjatë betejës. Kjo afërsi ndodh vetëm kur dikush ekzekutohet.”
I akuzuari Andi Krasniqi tha në gjykatë se Ndrecaj dhe Rizaj ishin që të dy gjallë kur të fundit e grupit u dorëzuan rreth orës 9 të mbrëmjes.
Një i dyshuar tjetër, Rufki Dogani, tha se ai i kishte parë ata të gjallë në një stacion policor pas përleshjes.
Një flamur shqiptar varet mes mbeturinave të një ndërtese të dëmtuar. Foto: Amir Idrizi
Teori komploti
Ndoshta në mënyrë josurprizuese, të afërmit e të armatosurve të akuzuar i shohin ata si heronj që shkuan në Maqedoni për të luftuar për të drejtat e shqiptarëve etnikë të margjinalizuar, por u tradhtuan nga autoritetet që i kishin joshur ata të shkonin.
Fadil Elshani, babai i të akuzuarit Bajram Elshani, erdhi në Shkup në korrik 2017 për të ndjekur gjyqin.
“Djemtë tanë erdhën këtu për arsye patriotike,” tha ai. “Nëse do të kishin ardhur për terrorizëm, ata do të duhej të kishin vrarë fëmijë, pleq apo gra.”
Ylber Ndrecaj, vëllai i udhëheqësit të grupit, Mirsadit, foli për BIRN në Prishtinë pas një ceremonie përkujtimore për dyvjetorin e rrethimit.
“Ata nuk shkuan atje në kokë të vet,” tha ai. “Ky rast u miratua nga shumë politikanë nga Maqedonia. Dhe unë po ju them këtë mbështetur në burime shumë të sigurta, jo thjesht thashetheme.”
Shqiptarët etnikë nuk janë të vetmit që mendojnë se rrethimi ishte në një farë mënyre i orkestruar nga zyrtarët maqedonas. Shumë banorë joshqiptarë të Kumanovës tregohen gjithashtu cinikë.
“Ata janë njerëz që morën para për të ardhur në Kumanovë dhe për të provokuar incidente, me synimin për të shkaktuar luftë në Maqedoni,” tha një burrë në sheshin kryesor të Shkupit.
Edhe babai i njërit prej policëve të plagosur në ngjarje besonte te teoritë e komplotit. “Çdo gjë u sajua nga politikanët,” i tha ai BIRN, duke refuzuar të identifikohej. “Tetë policë u vranë për asgjë.”
Që nga rrethimi, shtëpitë e shkatërruara janë rindërtuar me tulla të kuqe, falë një fondi kompensimi nga qeveria.
Njëra vijon të qëndrojë e rrënuar, në cepin e rrugës Tode Mendol me rrugën Pero Ilievski. Ajo i përket Irfan Lutfiut, një berber që u dënua me 14 vjet burg për bashkimin me grupin pasi ata erdhën në Kumanovë. Disa shpresojnë që ajo të mbetet e tillë si rikujtesë për masakrën.
Gëzhojat gjenden të shpërndara në vendngjarje në Kumanovë. Foto: Amir Idrizi
“Ishte kaq e tmerrshme,” tha imami Eljesa Mahmudi. “Ne nuk do ta harrojmë kurrë çfarë ndodhi. Ky ishte një skenar që dikush e përgatiti… Falë Allahut nuk pati viktima civile.”
Shumë njerëz në Kumanovë dhe nëpër të gjithë vendin tashmë i varin shpresat në një hetim ndërkombëtar për të zbardhur njëherë e mirë gjithçka që solli luftimet.
Në shtator 2017, Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski tha se ai do të kërkojë një hetim të tillë.
“Kjo mund të ndihmojë publikun të gjejë të vërtetën në mënyrën e duhur,” tha ai. “Mund të jetë një procedurë në të cilën të gjithë shtetasit mund të besojnë”.