Twitter ia pezullon përgjithmonë llogarinë presidentit Trump

Pas Facebook edhe Twitter ka mbyllur konton e Presidentit Amerikan Donald Trump, përgjithmonë. Këto dy platforma janë pronë private dhe mund të bëjnë ç’të duan, por si precedent është i pa parë më parë. Liria e fjalës i mohohet hapur një presidenti amerikan pa asnjë procedurë paraprake. Megjithatë, askujt nuk i ka ikur fakti se këto gjigante teknologjike jo rastësisht po veprojnë kështu kur partia demokratike amerikane do ta ketë kontrollin e plotë të Kongresit dhe Presidencës në SHBA nga 20 janari, dhe shqyrtimet, paditë e ngritura nga departamenti i drejtësisë për praktikat e tyre në biznes mbeten të hapura, e nuk është se të gjithë tek demokratët janë miqësor ndaj këtyre mediave sociale.

Platforma sociale, Twitter njoftoi se ka vendosur t’ia pezullojë përgjithmonë llogarinë e presidentit në largim të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
“Pas rishikimit të postimeve të fundit nga Donald Trump dhe kontekstit rreth këtyre postimeve ne kemi vendosur që t’ia pezullojmë përgjithmonë llogarinë për shkak të rrezikut për nxitje të mëtejme të dhunës”, tha kompania Twitter.

Pas protestuesit e dhunshëm, mbështetës të Trumpit, sulmuan më 6 janar Kongresin amerikan, Twitter njoftoi për pezullimin prej 12 orëve të llogarisë së presidentit, për shkak se siç u tha, ai kishte bërë postime që përbënin shkelje të politikës së kësaj platforme të integritetit civil.
Më 8 janar, presidenti Trump bëri dy postime në Twitter, të cilat, sipas kësaj platforme sociale, kishin përmbajtje që paraqisnin shkelje të politikës së “Glorifikimit të Dhunës” të kësaj kompanie, që “ka për qëllim të parandalojë glorifikimin e dhunës që mund të inspirojë të tjerët të kryejnë akte të dhunës dhe vendosëm që ato kishin të ngjarë të inkurajonin njerëzit të përsërisnin akte të dhunës që ndodhën në Kongresin amerikan më 6 janar”, tha Twitter.

Edhe kompanitë Facebook dhe Instagram kanë njoftuar më 7 janar se kanë vendosur t’ia bllokojnë llogaritë Trumpit në këto dy platforma, për të paktën dy javë, derisa Joe Biden të inaugurohet si president i SHBA-së.
Facebook dhe Instagram thanë se Trump “përdori platformat tona për të nxitur dhunë ndaj një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike”.
Facebook, që ka në pronësi edhe platformën Instagram, nuk e ka përjashtuar mundësinë që llogaria e Trumpit të mbyllet përgjithmonë.