TV24: Grubi kthehet në punë si profesor i gazetarisë, Osmani në Klinikë, Mariçiq dhe Osmani kërkojnë apanazh

Ish-zëvendëskryeministri i parë dhe bashkëpunëtori më i afërt i Ali Ahmetit, Artan Grubi pas largimit nga detyra e ministrit rikthehet në Fakultetin e Gazetarisë në Universitetin e Tetovës, aty ku ka siguruar qëmoti vendim pune.

Grubi tregon për TV 24 se i është rikthyer punës së vjetër.

“U ktheva në Universitetin ku jam i punësuar. Ligjëroj në Universitetin e Tetovës, në Fakultetin e Gazetarisë”, ka theksuar Grubi.

Edhe Bujar Osmani ka bërë të ditur se do të kthehet në Klinikën për Kirurgji Digjestive. Ministrat e tjerë bashkëpartiakë Fatmir Besimi dhe Kreshnik Bekteshi ende nuk kanë vendosur nëse do të kërkojnë apanazh.

Ende nuk ka vendosur edhe ish-ministri i Drejtësisë Krenar Lloga. Vetëm ish-ministri i Arsimit Jeton Shaqiri ka kërkuar apanazh, pasi siç thotë ai ka ardhur nga pozita e drejtorit të “Ujësjellësit” – Strugë si ministër i Arsimit. E meqë posti i drejtorit nuk mund të vihet në pritje, Shaqiri thotë se nuk e ka një punë të vjetër dhe për këtë ka kërkuar apanazh.

Nga kampi i Dimitar Kovaçevskit, vetëm ish-zëvendëskryeministri për Integrime Evropiane, Bojan Mariçiq, kërkoi apanazh. Ai thotë për TV 24 se kërkesa është për faktin se ka humbur vendin e punës dhe para se të hyjë në Qeveri ka dhënë dorëheqje nga puna.

Krahas Mariçiqit, as ish-kryeministrja për qeverisje të mirë, Sllavica Grkovska nuk ka fituar mandat në Kuvend, por për TV 24 ka thënë se tashmë është kthyer në postin e vjetër në MPB.