Turqinë apo Greqinë, kë do të zgjidhte Berisha? Ish kryeministri tregon çfarë do bënte ai po të ishte në vendin e Ramës

Ish-Kryeministri Sali Berisha, i ftuar sonte në emisionin Zonë e Lirë, është pyetur nga Arian Çani se kë do të zgjidhte, Greqinë apo Turqinë, nëse do të ishte në vend të pasardhësit të tij Edi Rama.

Sipas Berishës, vendi ynë duhet të synojë bashkëpunime me të dyja këto shtete, por në fund të fundit, ai do të zgjidhte interesin e Shqipërisë.

“Charles de Gaulle ka lënë një postulat epik: Secili kryqin e tij! Do zgjidhja Shqipërinë dhe interesat e saj. Natyrisht fqinj të respektuar e të gjitha, por Shqipëria është një vend i cili duhet të ndërtojë marrëdhënie miqësore me të dyja këto vende. Dhe të uroj që problemi që është problem prej shumë dekadash, që u acarua me problemin e Qipros. Kemi firmosur një marrëveshje dhe i kam qëndruar gjithnjë. Të imagjinohet se Shqipëria do anësojë kundër Greqisë apo Turqisë, kjo nuk mund të imagjinohet. Shqipëria do mbajë një qëndrim në përputhje me interesin e saj kombëtar. Shqipëria uron që këto të zgjidhin konfliktin nëpërmjet dialogut. Tani është pala greke që thotë le t’i referohemi gjykatës për zgjidhjen e problemit.”, tha Berisha.