Turqia zbulon rezervë ari prej 20 tonësh me vlerë 1,2 miliard dollarë

Një rezervë masive ari prej 20 tonësh me vlerë 1,2 miliard dollarë është zbuluar në provincën lindore Ağrı të Turqisë, njoftoi ministri turk i Industrisë dhe Teknologjisë.
Përveç kësaj, një rezervë argjendi prej 3,5 tonësh, me vlerë 2,8 milionë dollarë, u zbulua gjithashtu në të njëjtin rajon, tha Mustafa Varank në ceremoninë e hedhjes së themelit të ndërtesës së re të kompanisë turke të minierave të arit Koza Altın në Ağrı.

Objekti me vlerë 160 milionë dollarë, ku do të punësohen 500 njerëz direkt dhe indirekt dhe do të sigurojë 2.000 vende pune, ka një rëndësi të madhe për ekonominë si të Turqisë, ashtu edhe të rajonit, tha Varank.
Struktura pritet të fillojë përpunimin e arit në tremujorin e fundit të vitit 2022, shtoi ai.
Ai tha se janë duke vazhduar studimet dhe kërkimet për të gjetur sasi më të mëdha të arit në minierë.
Duke folur për sektorin e minierave të Turqisë, ai tha se 13.000 njerëz po punojnë në sektor, me investime që arrijnë 6 miliardë dollarë deri më tani.

“Turqia, e cila në fillim të viteve 2000 nuk ishte në gjendje të prodhonte qoftë edhe një gram ar, vitin e kaluar prodhoi 42 tonë ar në 18 miniera aktive perkundër pandemisë”, tha Varank, duke theksuar arritjet e minierave nën udhëheqjen e Partisë për Drejtësisë dhe Zhvillimit (AK), e cila erdhi në pushtet në vitin 2001.
Ndërsa para vitit 2001, të gjitha nevojat e arit të Turqisë plotësoheshin nga importet, tani prodhimi i arit të Turqisë zvogëlon deficitin aktual të vendit me 2,4 miliardë dollarë në vit, vuri në dukje ai, duke shtuar:
“Por ne nuk i konsiderojmë këto përpjekje të mjaftueshme, ne do të vazhdojmë përpara me shumë projekte të reja që do ta çojnë sektorin edhe më përpara”.

Varank tha se gjatë pjesës më të madhe të historisë së republikës, ajo kurrë nuk u dha prioritet minierave.
Ai më tej shpjegoi: “Deri në fillim të viteve 2000, ari nuk prodhohej në Turqi. A ishte kjo sepse nuk ka ar këtu? Sigurisht që jo. Turqia renditet e 12-ta në botë për sa i përket rezervave të gjetura të arit, dhe për nga potenciali, është mes pesë vendeve me të mira”.
“Vendi ynë ka mbetur pas në prodhimin e arit për shkak të neglizhencës, mungesës së vizionit, dhe madje edhe paaftësisë”, shtoi ai.

Ai theksoi se në Universitetin Munzur të Turqisë do të themelohet Qendra e Zbatimit dhe Kërkimit të Elementeve të Rralla të Tokës për kërkimin dhe zhvillimin si dhe aktivitete prodhuese për produkte të teknologjisë së lartë në fusha si aviacioni, elektronika dhe industria e automobilave.
Dhjetorin e kaluar u bë një tjetër zbulim i madh i arit, rreth 99 tonë me vlerë 6 miliardë dollarë, në rajonin veriperëndimor Marmara nga prodhuesi turk i plehrave Gübretaş.