Turqia kërcënon me luftë

Një zgjerim i mundshëm i ujërave territoriale greke përgjatë kufirit detar me Turqinë do të ishte një arsye për luftë, tha ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavusoglu.
“Ne nuk do të lejojmë që Greqia të zgjerojë ujërat e saj territoriale në Detin Egje në 12 milje,” u citua Çavusoglu nga Daily Sabah.

Paralajmërimi erdhi pasi kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis njoftoi javën e kaluar se ujërat territoriale greke në Detin Jon, drejt Italisë, do të zgjeroheshin nga gjashtë në 12 milje.
Turqia dhe Greqia kanë gjashtë milje det territorial në Detin Egje, ku një numër i madh i ishujve grekë ndodhen jo shumë larg bregdetit turk.

Greqia dhe Turqia, të dy anëtarë të NATO-s, kanë debatuar ditët e fundit rreth planeve turke për kërkime në Mesdheun lindor, i cili besohet të jetë i pasur me naftë dhe gaz.